Krimi kundër personit për shkak të konfliktit ndaj pronës, gjakmarrja apo vetëvrasjet janë një ndër shqetësimet kryesore të policisë kriminale.
Agron Kuliqi, nëndrejtor i përgjithshëm i policisë dhe drejtor për hetimin e krimit, ka bërë publike statistikat e tre viteve të fundit të vrasjeve me të tilla motive.
Agron Kuliqi: “Gjatë vitit 2005 në vendin tonë janë evidentuar pesë raste vrasjesh për gjakmarrje, si dhe janë regjistruar 219 raste vetëvrasje, nga të cilat 76 kanë ndodhur në qytet dhe 143 në zonat rurale. Gjatë vitit 2006 janë evidentuar katër raste gjakmarrje, janë regjistruar 208 raste vetëvrasje, nga të cilat 88 në qytet dhe 120 në zonat rurale. Gjatë vitit 2007 nuk është evidentuar asnjë rast për vrasje për gjakmarrje, si dhe janë evidentuar 225 raste vetëvrasjesh, nga të cilat 102 në qytet dhe 123 në fshat. Në periudhën Janar-Tetor të këtij viti janë evidentuar dy raste për gjakmarrje. Vrasjet janë regjistruar 126 raste vetëvrasjesh, nga të cilat 50 në qytet dhe 76 në fshat.”
Referuar të dhënave zyrtare në Shqipëri po shtohet edhe numri i rasteve të dhunës në familje. I ftuar në një panel të gjerë ka argumentuar se shkaqe të rritjes së këtij fenomeni janë niveli i ulët shoqëror dhe pranimi i dhunës brenda familjeve shqiptare.
Agron Kuliqi: “Kështu gjatë nëntë mujorit të këtij viti kanë kërkuar mbrojtje nga policia 612 viktima të dhunës në familje, ndërkohë që gjatë vitit 2007 janë evidentuar 274 raste të tilla.
Me shqetësim në këtë aktivitet është folur gjithashtu edhe për vajzat shqiptare të trafikuara për prostitucion./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani