Akademia e filmit dhe multimedias “Marubi” çeli Festivalin e 4-t Ndërkombëtar të Filmit për të drejtat e njeriut. Në ceremoni merrnin pjesë kineastë, përfaqësues të trupit diplomatik e personalitete të fushave të ndryshme. Duke qenë se çështjet e të drejtave të njeriut janë të prekshme për tërë botën një festival i tillë filmi ka gjetur vokacionin e vet edhe në Shqipëri.

Theodore S. Orlin: “Ngjarja sot është shumë më ambicioze seç ishte katër vjet më parë. Me një përzgjedhje të gjerë filmash origjinale që e provokojnë mendimin dhe me pjesëmarrjen e kineastëve, ky festival është sjelle në një standard profesional të krahasueshëm edhe me festivale të tjerë rreth e rrotull botës. Falë mbështetjes së komunitetit shqiptar e ndërkombëtar ai është bërë një festival serioz i të drejtave të njeriut.”

Kujtim Cashku: “Me shumë vështirësi për të mbërrtiur brenda, për tu futur në një planet sepse do të shohim gjatë këtyre 5 ditëve filma nga i gjithë kontinenti. filma që do të na bëjnë të dëshpëruar, do të na bëjnë të gëzuar, por e rëndësishme është që të gjejmë fuqi ta çojmë më tej gjithë shoqërinë dhe ti japim sa më shumë gëzime asaj.”

Filmi që çeli këtë festival ishte “Maria Full of Grace” (Hiret e Marias), një film amerikano-kolumbian, me autor regjisorin, Joshua Marston.

Joshua Marston: “Subjekti i filmit ka të bëjë me trafikimin e drogës. Më parë as që më kishte shkuar mendja të bëja një film mbi këtë temë. Rastësisht në një restorant në Nju Jork bisedova me një grua kolumbiane, që kur e pyeta se si kish ardhur në Amerikë, më tha se ndër të tjera kish mbërritur përmes trafikimit të drogës. Detajet e historisë së saj ishin kaq interesante sa më frymëzuan për të bërë këtë film.”

“Maria full of Grace” rrëfen historinë e një një vajze 17 vjeçare, e cila punon në një plantacion trëndafilash si heqëse gjembash. Oferta për një punë më fitimprurëse e shndërron atë në një transportuese droge, duke i ndryshuar rrjedhën e jetës, gjatë të cilës bëhet pjesë e një trafiku të rrezikshëm ndërkombëtar droge.

Nën interpretimin e aktores Katalina Sandino Moreno, filmi është nominuar për trofeun e aktores më të mirë në çmimet Oskar në vitin 2005, duke e klasifikuar aktoren hispanike me dy divat e kinemasë meksikanen, Salma Hajek për interpretimin e filmit “Frida”, kushtuar piktores Frida Kahlo në 2002-in dhe spanjollen Penelope Cruz në 2006-ën për filmin “Volver”./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani