Për të katërtin vit radhazi Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, do të organizojë festivalin ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut. Nga datat 29 shtator deri në 3 tetor do të shfaqen në kinemanë Marubi 37 filma nga e gjithë bota, që hedhin dritë mbi çështjet e të drejtave të njeriut kudo në botë. Fenomene të ngjashme edhe për shoqërinë shqiptare.
Kujtim Çashku: “Besoj që do të ketë një interes reflektiv të vetë publikut që do të ndjekë këto filma mbi disa fenomene që neve i hasim jo rrallë herë dhe në jetën shqiptare. Kur flas për këtë, flas për politika të caktuara ndaj qofshin atyre që kanë drejtpërdrejt lidhje me ligjvënien, qofshin ato që kanë të bëjnë me ekzekutivin ose gjyqësorin, por në të njëjtën kohë dhe me mentalitetin e njerëzve tonë. Një pjesë e këtyre filma siç e dini janë madje të ndaluar në vendet e tyre. Një pjesë e filmave që ne kemi zgjedhur kanë krijuar jo pak reagime të fuqishme, mund të them në mbarë botën, por dhe me institucione të caktuara ndërkombëtare.”
Një pjesë e këtyre filmave që do të prezantohen nga vetë kineastët, janë fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në festivale të të drejtave të njeriut nëpër botë.
Filmat e përzgjedhur që do të shfaqen gjatë 5 ditëve të festivalit, sjellin tablo rrëqethëse nga jeta e përditshme, trajtojnë dhunën në familje, probleme të minoritetit, temën e homoseksualitetit. Në ditët e festivalit kur kinemaja e Akademisë Marubi do të jetë e hapur për të gjithë, do të projektohen filma edhe mbi jetën e gazetarëve, mbrojtjen e tyre për shkak të detyrës si dhe lirinë e shprehjes./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani