Konflikti midis Akademisë audiofilmike Marubi dhe drejtorisë Alba Filmit arriti sot pikun, kur rektori Kujtim Çashku u shoqërua nga efektivë të policisë në rajonin nr.4. Ndërkaq policia ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për këtë ngjarje. Bashkë me të u shoqëruan edhe 5 studentë të tjerë ndërmjet tyre dhe djali i regjisorit që punon me të në Akademi.
Çashku bashkë me studentët dhe të birin u liruan sot në drekë. Konflikti nisi 3 ditë më parë, kur drejtori i Albafilmit kërkoi lirimin e ambienteve të Jashtme të shkollës pas Vendimit të Këshillit të Ministrave ku këto ambiente i jepeshin me qira televizionit kombëtar Top Channel.
Televizionit kombëtar Top Channel në bazë të këtij vendimi të këshillit të Ministrave merr me qira një sipërfaqje prej 5000 m katror nga të cilat rreth 1400m katror përkojnë me ambientet e zëna nga “Marubi”.
Sipas drejtuesve të Albafilmit, Akademisë Marubi i është ofruar disa herë shansi për të marrë me qira ambientet e zëna, por në 4 vjet “Marubi” nuk ka pranuar të paguajë detyrimet përkatëse. Qeveria socialiste i ka dhënën një sipërfaqe rreth 200m katror në përdorim, mbi 3000 m të tjerë katrorë janë zënë pa leje nga Akademia Marubi.
Regjisori Çashku pretendon se shkolla e tij private kinematografike nuk del me aq fitim sa të përballojë qiranë dhe kërkon nga shteti tֽi lërë në përdorim hapësirën në fjalë. Deri më tani qeveria nëpërmjet autoriteteve të Albafilmit e ka bërë të qartë se disa nga këto ambiente pas datës 29 tetor të vitit 2008 i takojnë Top Channel, i cili tashmë ka lidhur një kontratë për një periudhë 20 vjeçare me shtetin shqiptar./tvklan.al
Gazetar: Julian Kasapi