Akademia më e famshme në Shqipëri për prodhimin e talenteve në fushën e këngës dhe të baletit ka kaluar me sukses natën e saj të 8 në televizionin Klan.

Drejtuar me shumë profesionalizëm nga Zana Çela, spektakli i mbrëmjes së shkuar është ndjekur nga qindra spektatorë të rinj të gjimnazeve të Tiranës, e shumë prindër e mësuesë, kanë shpalosur shumë ritëm e nivel artistik të lartë në fushën e interpretimit.

Pas prezantimit të top listës Artesi i ka shpallur sfidë Adelës, konkurrentes më të spikatur të baletit, me një analizë të hollësishme të aftësive personale. Ka qenë me të vërtetë një super sfidë, ku janë prezantuar vlerat profesionale të dy balerinave, por edhe të partnerëve të tyre në zhanrin e hip-hopit dhe të baletit klasik.

Surprizë në duelin e ashpër femëror ka qenë paraqitja skenike e Jurgenit duke fituar vëmendjen e publikut dhe komplimentet e profesorëve për komunikimin perfekt me partneren.

Sfidat në disiplinën e kantos i ka fituar Nita dhe Fjorela, kjo e fundit në një përballje skenike me Elhaidën, që nuk ka qenë në ditën e saj më të mirë.

Spektakli ka kulmuar me një kolazh modern në hip-hop, ku kanë kërcyer të gjithë balerinët e Akademisë dhe balerinët e eliminuar, duke treguar kështu së përveç konkurrimit në Akademinë më të famshme në Shqipëri, prodhohen kontingjente për spektaklet shqiptare.

Nga gara e mbrëmshme është larguar Ardita, këngëtarja që gjatë këtyre javëve ka pasur  një ngritje të konsiderueshme në interpretim, duke sjellë çaste emocionale e shumë prekëse për telespektatorët.

Ardita: “Sigurisht që shumë e mërzitur, po ju falënderoj të gjithëve që më dhatë një eksperiencë vërtetë shpresoj se do të jetë shumë e vlefshme për karrierën time. I ka thënë më shumë formë vokalit tim, falënderoj gjithë stafin që ka punuar me mua.”/tvklan.al