Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike bën të ditur se Shqipëria është përballur gjatë vitit 2023 me 49 sulme kibernetike në infrastrukturat me kryesore të vendit. Sipas kreut të këtij autoriteti, Igli Tafa sulme të tilla janë bërë një rrezik potencial për infrastrukturën dhe ekonominë e vendit.
“Padyshim që ka një rritje. Ne kemi bërë një statistikë që e kemi në faqen zyrtare të autoritetit. Kanë qenë 49 sulme kibernetike vitin e shkuar të cilat i përkisnin infrastrukturave të ndryshme. Të gjithë janë të njohur me sulmet që ndodhën drejt Parlamentit, drejt INSTAT-it, drejt operatorëve të tjerë të cilët i përkasin institucioneve private dhe ne ndeshemi përditë me to.”
Shumica e këtyre sulmeve rezultojnë se kryhen nga Irani nënvizon Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
“Analiza të cilën ne bëjmë bazohet në një studim shkencor. Në pamje të parë të duket sikur të sulmojnë shtete fqinje ose shtete me të cilët ne jemi partner, por kur analizon më thellë kupton që sulmet vijnë kryesisht në mbi 90% të rasteve nga shteti i Iranit.”
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, organizuan një trajnim me temë “Higjiena kibernetike dhe praktikat më të mira të sigurisë”, pasi 70% e incidenteve kibernetike ndodhin si pasojë e gabimeve njerëzore.
Klan News