Ka nisur në qytetin e Shkodrës trajnimi katërditor i Qendrës Kombëtare të Cilësisë dhe Akreditimit, në të cilin përfaqësues të institucioneve shëndetësore do të njihen me praktikat më bashkëkohore të kujdesit shëndetësor dhe rritjes së cilësisë së tij. Drejtori i kësaj qendre, profesor, Isuf Kalo, shprehet se ky trajnim është një risi, pasi si spitalet ashtu dhe pacientet tashmë duhet t’i blejnë shërbimet shëndetësore.
Isuf Kalo: “Është për herë të parë që bëhet në vendin tonë. Ka të bëj me trajnimin e mjekëve dhe gjithë sistemit shëndetësor me metodat e përmirësimit të cilësisë, të kujdesit shëndetësor. Së fundi është miratuar një ligj në parlamentin tonë, sipas të cilit të gjithë institucionet shëndetësore do të akreditohen. Ne jemi në një sistem tashi ku ISSH, do t’iu blejë shërbimet e spitaleve parësorë dhe natyrisht ata do jenë më të interesuar të blejnë shërbimet nga ato institucionet që janë të akredituar sepse indirekt shkon që këto të përputhen me standardet. Kjo është një ndihmë e madhe dhe për qytetarët, pacientët që të dinë se ku të shkojnë”.
Në këtë aktivitet marrin pjese mjekë nga Shkodra, Puka, Kukësi dhe Lezha, ndërkohë që do të paraqesin eksperiencën e tyre drejtues të institucioneve shëndetësore nga Sllovakia, vend që ka aplikuar një sistem të suksesshëm të kujdesit shëndetësor./tvklan.al