Asnjë prej 12 spitaleve rajonale në vend nuk përmbushin standardet normale të shërbimit ndaj qytetarëve.
Kjo është konstatuar nga vetëvlerësimi i spitaleve në bazë të standardeve të hartuara nga qendra kombëtare e akreditimit të institucioneve shëndetësore.
Isuf Kalo: “Nga vetëvlerësimi që bënë 12 spitalet që ne pilotuam, rezultoi që ato nuk i mbushnin dot standardet dhe kjo nuk është ndonjë çudi e madhe, cilësia në të vërtetë nuk është kërkuar, nuk është raportuar, nuk është matur.”
Por së shpejti të gjitha këto institucione shëndetësore do ti nënshtrohen procesit të akreditimit, për këtë QKCSA, po trajnon dhe një grup të posaçëm, i cili do të kontrollojë gjendjen e spitaleve.
Sipas Kalos qendrat që plotësojnë standardet do të jenë dhe më të privilegjuarat.
Isuf Kalo: “Ai spital që do akreditohet do të ketë disa favore ose prioritet në procesin e kontraktimit me Institutin e Sigurimeve Shëndetësore. Çka është e logjikshme sepse nuk mund të kemi ne të njëjtën hierarki si një spital që është akredituar dhe ai që nuk është akredituar. Qëllimi jonë nuk është të mbyllim spitalet, qëllimi jonë është që të gjithë spitalet të arrijnë atë nivel që ato me dinjitet tu shërbejnë konsumatorëve dhe qytetarëve tanë dhe tu shërbejnë jo me hamendje, jo me heroizma, por mbi bazën e një standardi të matshëm.” Të gjitha spitalet duhet të arrijnë standardet, ndaj puna më intensive do të fokusohet tek ato institucione shëndetësore ku ka më shumë mangësi./tvklan.al