Punimet në Lotin 3 të aksit Elbasan-Qafë Thanë po vijojnë me ritme të shpejta. Sipas Zëvendëskryeministres Belinda Balluku zbatimi i planit të projektit do të shkojë sipas parashikimeve në këtë investim të rëndësishëm.
“Gjithë kjo vepër ndjek shtratin e Lumit Shkumbin. Në disa zona kemi trase të ngritura. Në disa zona është përdorur dhe traseja ekzistuese, ndërsa në disa zona kemi bërë dhe mbrojtjen lumore. Të gjitha projektet e infrastrukturës janë të lidhura me njëra-tjetrën. Këtu Korridori 8, ka dhe një komponent tjetër, që është dhe hekurudha, për të cilën kemi aplikuar dhe presim fondin”.
Balluku nënvizoi se për këtë vepër infrastrukturore po punohet paralelisht edhe nga pala maqedonase për t’u lidhur më pas në pikën e përbashkët kufitare pranë Urës së Bushtricës.
Projekti i aksit Elbasan-Qafë Thanë si pjesë e Korridorit të 8-të është një vepër e rëndësishme edhe për lidhjen që do të ketë me portin e ri në Porto Romano.
Klan News