Një grua humbi jetën mbrëmjen e kësaj të premteje në një aksident tragjik të ndodhur brenda tunelit të Kalimashit në Kukës. Viktima është Ediona Sala. Ajo ishte pasagjere në një prej dy automjetet që u përplasën me njëra-tjetrën, njëra me shofer një shtetas nga Kosova e tjetri nga Shkopeti. 4 persona të tjerë mbetën të plagosur. Ata janë Sandër Beka, Mariglen Gjoka, Gjin Malsi, Mihrije Zeneli.

Këto pamje tregojnë dhe momentin e përplasjes mes dy makinave. Siç mund të shihet, makina që drejtohej nga Gjin Malsi, nga Shkopeti i bie nga pas makinës që drejtohej nga një shtetas nga Kosova, në tentativë për të parakaluar.

Më herët korrespondentja e Klan News, Vera Deda përcolli pamje nga brenda tunelit, ku dallohej qartë se përplasja kishte qenë mjaft e fortë. Autoritetet thonë se po punojnë për sqarimin e shkaqeve të ngjarjes së rëndë, ndërsa të plagosurit u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Kukësit.  

“Më datë 07.01.2022, në brendësi të tunelit të Kalimashit janë përplasur dy automjete, me drejtues shtetasit Gj.M., banues në Shkopet dhe N.Z., banues në Kosovë. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë pasagjerja E.S., banuese në Shkopet, si dhe janë plagosur 4 shtetas të tjerë, të cilët janë transportuar në spitalin e Kukësit. Grupi hetimor dhe shërbimet e Njësisë për Sigurisë Rrugore të autostradës Kalimash-Morinë, ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit“, tha policia në një njoftim paraprak për mediat.

Ngjarja po ashtu paralizoi qarkullimin e automjeve jashtë tunelit./tvklan.al