Një aksident ka ndodhur në qendër të qytetit të Elbasanit ditën e djeshme ku dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën.(Lexo më shumë)
Sipas asaj që njofton policia e Elbasanit si pasojë e këtij aksidenti është arrestuar 21-vjeçari A. Ll. banues në Elbasan, i cili drejtonte mjetin që u aksidentua.
Kujtojmë se njëra prej makinave përfundoi në një prej lokaleve në bulevardin kryesor “Aqif Pasha”, duke rrezikuar jetën e klientëve që po qëndronin aty. Policia njofton se si pasojë janë dëmtuar lehtë drejtuesi i automjetit dhe pasagjerja që udhëtonte me të. Si dhe janë shkaktuar dëme materiale në lulishten e një lokali dhe në një automjet të parkuar aty.
Zona ku ka ndodhur ngjarja është një nga rrugët më të populluara të qytetit të Elbasanit për shkak se ndodhet edhe në qendër. Aty janë të vendosura edhe shumë bar-kafe, por edhe biznese të tjera.
“Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ll., 21 vjeç, banues në Elbasan, sepse pasditen e djeshme, në bulevardin “Aqif Pasha”, Elbasan, automjeti që ai drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. K., 31 vjeç, banues në Fier. Si pasojë janë dëmtuar lehtë drejtuesi i automjetit, shtetasi E. K., dhe pasagjerja që udhëtonte me të. Gjithashtu, nga ky aksident janë shkaktuar dëme materiale në lulishten e një lokali dhe në një automjet të parkuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./tvklan.al