Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka qenë pasditen e sotme në By Pass-in e Vlorës ku është bërë e mundur përmes ndërhyrjes së IKMT largimi i subjekteve, të cilat kishin zaptuar sipërfaqe publike për të ushtruar aktivitet tregtar.
Gjatë fjalës së saj, Balluku ka thënë se s’duhet të abuzohet më me By Passin e Vlorës teksa ka shtuar se nuk duhet që të ketë më prekje të parametrave të sigurisë e as largim të hekurave ndarës dhe ka paralajmëruar që në të kundërt, do të merren masa administrative.
Belinda Balluku: Ne kemi marrë vendimin që tani të arrijmë që të ngrejmë një projekt të mirëfilltë që do të përdoret nga të gjithë qytetarët për të mbyllur njëherë e mirë të gjithë ëndrrat që kanë në sirtar subjektet e ndryshme që vazhdojnë me idenë “të vendosim flamurin dhe atëherë është tokë e zënë”.
Nuk është tokë e zënë, kjo është tokë e qytetarëve të Shqipërisë, të cilët me shumë dëshirë e ndajnë me turistët për t’i treguar gjirin e Vlorës, por jo për të zhvilluar këtu aktivitete të cilat janë të paligjshme, tregtare në tokë të shtetit. Duhet të nisim menjëherë projektimin e saktë dhe ashtu sikur kemi bërë dhe me platformën në Llogara për ta kthyer në një platformë me kushte dhe perimetra sigurie, çka është më e rëndësishme tani.
Nuk duhet të abuzohet më me By Passin e Vlorës, nuk duhet të ketë më prekje të parametrave të sigurisë së këtij By Passi, nuk duhet të ketë më largim të hekurave ndarës. IKMT do ta vazhdojë procesin, ju do ta keni të gjithë zonën në fokus të plotë. Do të merren masa të mirëfillta, qoftë kjo me gjoba apo me akte të tjera administrative pasi duhen respektuar të gjitha palët./tvklan.al