Ky është shërbimi më i ri i promovuar nga ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale në ditën e fëmijëve. 116 është numri i telefonit i linjës kombëtare të ndihmës për fëmijë, nëpërmjet të cilit fëmijët mund të kërkojnë ndihmë dhe të marrin mbrojtje. Por nuk është vetëm ky shërbim, mbrojta e fëmijëve është një nga prioritete e qeverisë. Gjatë konferencës kombëtare për realizimin e objektivave të strategjisë kombëtare për fëmijët, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale Viktor Gumi, deklaroi se po synohet mbulimi me pagesë për të gjithë fëmijët në nevojë.
Viktor Gumi: “Iniciativa e kryeministrit për përmirësimin e ligjit për ndihmën dhe përkrahjen shoqërore kishte për qëllim përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike edhe të grupeve e tjera në nevoje, kryesisht fëmijë jetim, fëmijë kryefamiljar etj. Projektligji tashmë është dërguar për diskutim në dikasteret qendrore dhe shumë shpejt do të kalojë në këshillin e ministrave. Qëllimi tij është të mos lejë asnjë fëmijë në nevojë pa u mbuluar nga pagesa cash shtetërore.”
Po ashtu prioritet i ministrisë se Punës është edhe largimi i fëmijëve nga puna, dhe riintegrimi i tyre në shkolla. Aktualisht numërohen 315 fëmijë të përfshirë në format më të këqija të punës. E pranishme në këtë konferencë, ishte edhe zonja e parë Teuta Topi e cila u shpreh se duhen marrë në konsideratë kërkesat e fëmijëve, duke i bërë ata objektiva për të ardhmen pasi ato janë e ardhmja e vendit.
Teuta Topi: “Unë mendoj që këtu një rol mjaft të madh duhet të luajë e gjithë shoqëria civile dhe media sidomos, në ndërgjegjësimin akoma më të madh të tonin, lidhur me detyrat që ne kemi karshi fëmijëve tanë.”
Gjatë katër viteve shërbimet për fëmijë kanë shënuar progres. Sipas raportit, vetëm gjatë vitit të fundit në 21 institucionet publike janë trajtuar rreth 410 fëmijë, nga të cilët 280 fëmijë jetimë dhe me probleme sociale dhe 130 fëmijë me aftësi të kufizuar.
Me rastin e festës së 1 qershorit presidenti i republikës Bamir Topi ka pritur në një takim përfaqësues të parlamentit rinor si dhe fëmijë të disa shkollave. Në fjalën e tij presidenti Topi ka deklaruar se fëmijët kanë nevojë për rritje të kujdesit nga ana e institucioneve, në drejtim edhe të rritjes së cilësisë së shërbimeve arsimore e kulturore të cilat kërkojnë rritjen e standardeve në nivel europian.
Po gjatë ditës së sotme me rastin e 1 qershorit nxënës të shkollës Pjetër Budi, kanë zhvilluar një aktivitet festiv për jetimët e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”. Gjatë aktiviteteve janë shpërndarë dhe dhurata për këtë kategori fëmijësh./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi