Lajme Arkiva 2004

Gjykata e Krimeve të rënda do të marrë në shqyrtim  dosjen e të  pandehurit Jaho Mulosmani, këtë herë i akuzuar për dy vrasje në Tropojë.

Gjyqtari Artur Gaxhi ka shpallur mos kompetencën e tij si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për të shqyrtuar një çështje për akuzën e vrasjes me paramendim, që parashikon dënimin e më shumë se 15 vjet heqje lirie.

I pandehuri Mulosmani nuk qe i pranishëm në sallën e gjyqit ku ka munguar edhe avokati i tij Vladimir Meçe, por është përfaqësuar kryesisht nga një mbrojtës tjetër.

Në dosjen e paraqitur nga akuza Jaho Mulosmani ka përdorur një armë zjarri automatik me numër 20.00.30.699 që sipas ekspertëve është e njëjta që është përdorur në atentatin ndaj deputetit Azem Hajdari, vepër për të cilën Mulosmani  u dënua rreth dy vjet më parë me burgim të përjetshëm.

Në çështjen që mori së fundi Gjykata e Krimeve të Rënda, Jaho Mulosmani, akuzohet për ekzekutimin e Gjin Kol Buçaj dhe Naim Dizdarit nga Tropoja.

Ngjarja ka ndodhur në janar të vitit ’99, kohë që përkon me periudhën kur Mulosmani kishte një funksion drejtues në komisariatin e Tropojës. Gjatë këtij atentati nga arma janë shtënë 23 plumba./tvklan.al