Terry Davies: “Jam me të vërtetë shumë i shqetësuar lidhur me akuzat e Zonjës Karla Del Ponte. Gjithsesi jam pak i befasuar që ajo nuk i bëri më parë këto akuza, sepse ka marrë shumë kohë. Por jo! Këshilli i Evropës nuk do të hetojë. Nuk është roli ynë”.

Kjo do të ishte deklarata që Terry Davies, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dha një vit më parë nga Strasburgu.

Pavarësisht kësaj, senatori zviceran, Dick Marti, ka mbërritur në Tiranë në një mision ende të pa qartë për të hetuar lidhur me akuzat e ish-kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte, se UCK-ja ka trafikuar organe të viktimave serbe gjatë luftës në Kosove, por për senatorin Marty duhet të këtë një motiv më shumë.

Bashke me stafin e tij ai mbërriti dy ditë më parë në Tirane për misionin fakt mbledhës mbi bazën e pretendimeve të ngritura nga Beogradi, sipas të cilave UÇK, gjatë viteve ‘98-‘99, ka rrëmbyer rreth 300 pjesëtare të komunitetit serb dhe më pas i ka trafikuar organet e tyre.

Marty është paraqitur në mesdite në Ministrinë e Brendshme ku mes senatorit Marty dhe Ministrit te  Brendshëm, Bujar Nishani, është zhvilluar një bisede kokë me kokë mbi hetimet që janë kryer më parë nga organet tona mbi këtë çështje. Nga ky takim nuk janë dhënë detaje duke e cilësuar atë konfidencial dhe të rezervuar për median.

Vizita e senatorit Dick Marty vjen një vit pas asaj të prokurorit serb Vladimir Vukcevic. Në muajin Tetor të vitit 2008 prokurori serb i krimeve të luftës, kërkoi nga prokuroja e përgjithshme, Ina Rama, për kryerjen e hetimeve të përbashkëta në fshatin ku pretendohet të jenë kryer transplantet. Por kërkesa e prokurorit Vukcevic u refuzua nga prokuroria shqiptare duke u bazuar atë në legjislacionin shqiptare.

Gjatë atij takimi, prokurorit serb iu vu në dispozicion materiali hetimor i kryer në Shqipëri në vitin 2005, hetim ky që nuk zbuloi asnjë gjurme të vrasjeve të 300 serbeve.

Tre autoritetet e larta shqiptare ministrat Alibeaj dhe Nishani si dhe kryeprokurorja Ina Rama, mësohet që të jenë treguar kategorike në kundërshtimin e nisjes së hetimeve të reja për këtë çështje.

Ndërkohë, kundër këtyre hetimeve janë shprehur kohë pas kohë dhe banorë të zonës së fshatit Gurrë në Mat si dhe politikanë të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani