Mazhoranca duket e vendosur të kalojë pa votat e opozitës projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i shpallur si një ndër prioritetet e saj me fillimin e sesionit të ri parlamentar.

I kontestuar ashpër nga opozita si një projektligj antikushtetues palët ndajnë qëndrime të kundërta përsa i përket papajtueshmërisë së mandatit dhe shtrirjes së verifikimit që prekin nenin 1, 2 dhe 3.

Aldo Bumçi: “Partia Socialiste në projektligjin e saj kufizohet vetëm tek bashkëpunëtorët e sigurimit. Bashkëpunëtorët kanë qenë hallka e fundit e një sistemi të tërë që u ngrit dhe një pjesë e tyre kanë qenë dhe viktima. Duhet të biem dakord për kategoritë. Mendoj kjo është një diçka e thjeshtë duke përfshirë drejtorë të përgjithshëm ose sekretarë në nivel ministrish, ambasadorë, drejtues të lartë të ushtrisë, policisë deri te nivelet më të larta të të zgjedhurve dhe sistemi i drejtësisë. Partia Socialiste në variantin e saj ka vetëm bërjen publike të emrave, të zyrtarëve të lartë dhe jo, nuk përfshin papajtueshmërinë. Në momentin që verifikohesh si i papajtueshëm duhet të ndërpritet mandati. Ne nuk e arkivojmë ligjin. Në qoftë se dikush mendon që me këtë lojë shpreson që ligji do vonohet, do arkivohet, kjo nuk ndodh. Ligji do votohet. Shpresojmë ta bëjmë bashkërisht”.

Në linjë të kundërt me demokratët relatori socialist në komisionin e ligjeve, Arben Isaraj, konfirmoi në telefon për Klan se zgjidhja e vetme mbetet ulja e palëve së bashku me ekspertët e këshillit të Evropës dhe OSBE-së me argumentin se demokratët synojnë të ushtrojnë presion ndaj gjykatave dhe organit të akuzës.

Në të njëjtën linjë me partinë më të madhe opozitare edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e sheh të pamundur miratimin e këtij projektligji.

Spartak Braho: “PD-ja në variantin e saj është selektive, është hakmarrëse. Nuk mund të ndërpriten mandatet siç i do koka edhe mendja përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Kësaj i thonë që të ndërpresë mandatin le të themi presidenti i republikës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nuk të lejon kushtetuta dhe ligji të ndërpriten mandatet. Ne parimisht jemi shprehur për hapjen e dosjeve, por në kushte dhe rrethana të cilat nuk krijojnë tensione sociale”.

I shtyrë disa herë debati që e ka përfshirë politikën për zbardhjen e figurës së zyrtarëve të lartë ka gjasa të pakta për t’u shqyrtuar në kohë nga kuvendi pasi palët nuk po gjejnë ende një kompromis. Sipas afateve të propozuara projektligji duhet të shqyrtohet brenda kësaj jave.

Julinda Kamberi: “Është në nderin dhe dinjitetin e këtij parlamenti dhe mbarë klasës politike dënimi i krimeve të komunizmit dhe të vetë sistemit për çka jemi të vonuar në krahasim me vendet e tjera që kaluan këtë sistem totalitar. Ky proces duhet të fillojë me dënimin e sistemit komunist, diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij në të gjitha hallkat dhe nivelet e makinë vrastare.”/tvklan.al