Lajme Arkiva 2003

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu ka kërcënuar me dorëheqje pasi marrëveshja mes partive politike në lidhje me procesin zgjedhor për të cilin ai ishte garant, sipas tij është shkelur dje. Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të zgjedhur Dëshira Subashin në vend të Igli Toskës anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka krijuar këtë krizë në institucionin e presidentit.

Kjo ka bërë që tryeza e partive politike e lajmëruar më parë të devijojë nga rendi i ditës. Kreu i shtetit do të shohë me seriozitet pozicionin e tij nëse KLD nuk tërheq vendimin e mbrëmshëm.

Alfred Moisiu: Kam nxitur dhe jam shprehur publikisht për domosdoshmërinë e balancimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si pjesë e marrëveshjes politike të datës 12 Maj 2003, midis partive politike kryesore të garantuar nga kryetari i prezencës së OSBE-së zoti Lipponen. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e tij të djeshme nuk bëri të mundur arritjen e këtij balancimi politik, gjë që mund të çoj në tensionimin të situatës elektorale dhe cenimin e procesit zgjedhor.

Zgjedhja e Subashit ka egërsuar opozitën pasi sipas një marrëveshje PS-PD me garanci të OSBE-së, vendi i mbetur vakant në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do ti takonte opozitës për të arritur balancën në këtë institucion sipas formulës 4 nga pozita dhe 3 nga opozita.

Vetëm 30 minuta para takimit të përfaqësuesve të partive politike, opozita kishte pikëpyetje të madhe për të mos marrë pjesë në tryezën e thirrur nga presidenti, takimi i tryezës është zhvilluar me dyer të mbyllura./tvklan.al