Fjoraldi Zguro: “Vetëm pak ditë më parë në mbledhjen e fundit të qeverisë, është vendosur që për procesin e legalizimit të hyjnë në punë dhe letrat me vlerë, ndodhem në unazën e re në Tiranë dhe për të parë konkretisht sa duhet të paguaj një qytetar me anë të kësaj metode”.
Sejdi Peka është një banor i njësisë bashkiake nr 6 në kryeqytet. Ai po legalizon ndërtesën ku banon dhe mund të përfitojë nga shlyerja e një pjese të detyrimit ndaj ALUIZNI-t duke përdorur letrat me vlerë.
Sejdi Peka: “Shpia është e vendosur në një sipërfaqe prej 350 m/2. Kam dëgjuar dhe e kam mirëpritur jashtëzakonisht shumë dmth vendimin e qeverisë për hyrjen në letra me vlerë. Edhe isha i interesuar që të di më tepër”.
Besim Gjikani: “Zoti Peka, ju me sipërfaqen që keni prej 350m/2, për 300m keni të drejtë të paguani deri në 80% që i takon rreth 256 mijë lekë të reja, të paguani me letër me vlerë. Nga ana tjetër, përsëri do të paguani për 50m që keni mbi 300m deri në 50% të vlerës së tregut me letër me vlerë që është e barabartë me 550 mijë lekë të reja dhe që do të thotë nga shuma e përgjithshme që juve do të paguanit 1 milion e 420 mijë lekë, po të keni letrat me vlerë, kjo vlerë do të ju zbresë për të paguar në letra me vlerë për 806 mijë. Ndërsa pjesa tjetër ju ngelet ta paguani me para kesh në bankë. Krahas këtij favori, përsëri qeveria vendosi dhe uljen e tarifës së infrastrukturës së ndërtimit që nga 2% e zbriti në 0.5%. Çka do të thotë që për 100m ndërtim ju do të paguani 55 mijë dhe me vendimin e ri do të paguani 16 mijë”.
Pas miratimit në mbledhjen e qeverisë, për të hyre në fuqi vënia në eficence e letrave me vlere do të duhet që drafti ligjor të kaloje edhe në parlamentin e ri, në shtator të këtij viti. Nga lehtësirat e pagesës me letra me vlerë pritet të përfitojnë edhe personat që kanë shlyer detyrimet ndaj ALUIZNI-t./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro