Në bursë çmimi i naftës ka prekur nivelet më të ulëta në 4 vitet e fundit, apo e krahasuar me rekordin e regjistruar korrikun e këtij viti, ari i zi është ulur me rrethi 3,5 herë. Por në Shqipëri karburantet vazhdojnë të injorojnë këtë realitet duke u fiksuar në nivele të larta, madje më të lartat në rajon.
Por përse çmimet në vend nuk tregohen elastike, kur bëhet fjala për uljen e tyre? Qeveria thotë se nuk mund tu diktojë çmimin grosistëve pasi është vetë tregu që e bën atë. Qeveria mjaftohet me faktin se ka liberalizuar tregun e karburanteve, megjithatë siç pohojnë edhe ekspertët ky treg është i deformuar dhe abuziv.
Petraq Milo, këshilltari i kryeministrit për ekonominë pranon nivelet e larta të çmimeve në vend, por thotë se roli rregullatori shtetit për këtë treg është i kufizuar.
Petraq Milo: “Krijimi i konkurrencës në treg në radhë të parë do të vijë nga dhënia apo mos pengimi i licencave të importeve gjë të cilën shteti jonë e ka bërë. Ka rreth 17-18 importues të karburanteve. Krijimi i kushteve të depozitave një politikë është e taksave e barabartë për të gjithë.
Për ish kryetarin e autoritetit të Konkurrencës, Zef Preçi, duhet që sa më parë ky institucion të nxjerrë vendimet e te jepen vendimet e hetimit të ndërmarrë.
Zef Preçi: “Po ashtu është e vërtetë që kemi një numër firmash që importojnë ndonëse tregu është i vogël. Por nuk ka konkurrencë midis tyre, mendoj se spekulohet në këtë drejtim. Pra sigurohen fitime të pa merituara. Ka një zvarritje, vonesë në përfundimin e hetimeve të autoritetit të Konkurrencës.”
Mesa duket të gjithë projektorët janë drejtuar tek autoriteti i Konkurrencës. Por Konfindustria mendon se edhe ky autoritet nuk është zgjidhja e problemit të çmimit.
Gjergj Buxhuku: “Në kushtet kur shteti nuk ka në dorë operatorin publik, i cili mund të ishte mjeti më efikas për stabilizimin e këtij tregu. Dhe zgjidhja e vetme mbetet Enti Rregullator i Karburanteve, i cili duhet të ndërhyjë në kushtet ku shikon që ka çrregullime të dukshme siç ka patur kohët e fundit.”
Konfindustria mendon se çmimi është vetëm maja e ajsbergut të abuzivitetit, cilësia dhe sasia përbejnë pjesën tjetër. Zgjidhja e këtyre problemeve vijon të mbetet jetim, ndërkohë që kostot e keq funksionimit të tregut të karburanteve bien direkt mbi qytetarët./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro