Lajme Arkiva 2003

Shtohen dozat e kritikëve të ndërkombëtarëve ndaj Shqipërisë. Një ditë pas raportit të departamentit amerikan të shtetit ku Shqipëria u kritikua për nivelin e lartë të trafikut të drogës dhe korrupsionin, ka qenë ambasadori i Amerikës në Tiranë James Jeffrey ai që ka tërhequr vëmendjen në nivelin e korrupsionit dhe trafikut në Shqipëri.

Ambasadori amerikan ka zgjedhur një orë të hapur leksioni të organizuar nga dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Ylli Pango për të lëshuar kritikat e SHBA-së ndaj vendit tonë. Zoti Jeffrey ka treguar se kjo është një paradhënie e raportit të departamentit amerikan të shtetit për të drejtat e njeriut që pritet të dalë pas një jave. Duke saktësuar se të drejtat e njeriut kanë lidhje me shumë elementë, zoti Jeffrey i ka filluar kritikat me nivelin e lartë të korrupsionit.

James Jeffrey:Duhet shumë për të bërë më lejoni të nis me korrupsionin ai është i dëmshëm për të gjithë shoqërinë duke përfshirë ligjin dhe rendin dhe ndikon në investimet lokale dhe të huaja. Korrupsioni është gjithashtu edhe një sulm mbi të drejtat e njeriut, është i lidhur shumë ngushtë së bashku me forma të tjera të krimit, mungesës së transparencës, mungesës së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit. Një tjetër fushë shumë e rëndësishme ku dhe duam të shohim më shumë progres është reforma zgjedhore. Çfarë është e rëndësishme për të drejtat e njeriut, është një sistem i lirë zgjedhor sepse në fund të fundit për tu marrë vesh me qeverinë kur ajo nuk respektonte drejtat tuaja është ta largoni atë më votën tuaj dhe të zgjidhni një të re po me të drejtën e votës. Qeveria duhet të kuptoj se për të qëndruar në pushtet duhet të respektoj të drejtat themelore të njeriut. Reforma elektorale është shumë e rëndësishme për të krijuar një sistem që funksionon dhe që çdokush ka besim te ai. Një tjetër çështje që kërkon gjithmonë një vëmendje konstante është media. Shoqëria civile dhe shtypi vetë, duhet të jenë vigjilentë në mënyrë të vazhdueshme për të mbrojtur pavarësinë e medias dhe integritetin e saj jo vetëm nga presionet politike, por edhe nga ato financiare”.

Ambasadori amerikan në Tiranë Jeffrey gjithashtu ka gjetur rastin të përforcoj edhe njëherë qëndrimin e departamentit të shteti ku Shqipëria duhet të shtoj përpjekjet për të ndalur trafiqet e qenieve njerëzore dhe drogës, arrestimin dhe dënimin e trafikantëve. Gjithashtu zoti Jeffrey kërkoi zgjidhjen e çështjes së pronave përfshirë këtu edhe ato të komuniteteve fetare në vend./tvklan.al