Shqipëria është shumë afër liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Këtë e ka konfirmuar ambasadori italian Saba D’Elia gjatë një vizite në qytetin e Shkodrës, një prej rajoneve ku shteti fqinj është duke konkretizuar investime të rëndësishme në infrastrukturë dhe sektorin energjetik.

Duke vlerësuar progresin që vendi ynë  ka bërë në përmbushje të objektivave për  integrim në familjen Evropiane D’Elia tha, se Italia dhe ministri i saj i jashtëm i saj Franko Fratini janë avokatët më të mirë të Shqipërisë në këtë proces.

Saba D’Elia: “Vazhdojmë të jemi ndër mbështetësit më të bindur të mundësive që ka Shqipëria për të hyrë në BE, si të thuash avokatët më të mirë të saj. Flitet prej kohësh për perspektivën e liberalizimit të vizave dhe ajo që mund të ripërsëris janë fjalët e ministrit të Jashtëm Fratini i cili në një vizitë që kreu pak muaj më parë në vendin tuaj u shpreh qartë në favor të heqjes të regjimit të vizave.”

Zgjedhjet tha D’Elia nuk janë vetëm një kusht teknik, por një standard për të cilin partnerët evropianë janë të bindur se Shqipëria do ta plotësojë, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm në përafrimin e saj me unionin evropian.

Saba D’Elia: “Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve dhe fakti që ato ashtu si ne të gjithë shpresojmë dhe jemi të bindur se do të jenë korrekte dhe transparente është një element që do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen e objektivit që ka Shqipëria për tu bërë sa më shpejt pjesë e familjes evropiane.”

Ambasadori Italian konfirmoi se rruga Shkodër-Hani i Hotit me vlerë 30 milionë euro dhe zona industriale në Koplik janë dy prej projekteve që do të marrin udhë brenda këtij viti. Këto dhe projekte te tjera e rendisin Italinë partnerin kryesor të Shqipërisë në investimet e huaja./tvklan.al

Gazetar: Simon Shkreli