Helmut Lohan: “Për Shqipërinë gota është gjysmë plot po aq sa edhe gjysmë bosh.”
Duke huazuar këtë shprehje të Komisonerit Evropian për Zgjerim Rehn, në Tiranë ambasadori Lohan përkufizoi në këtë mënyrë progres raportin 2008, që zhveshur nga konsiderimet diplomatike raporton progres në mjaft fusha, por edhe sugjerime për përmirësime të mëtejshme.
Helmut Lohan: “Për sa i takon kriterit politik, Shqipëria vazhdon të shënojë progres në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe vendosjen e sundimit të ligjit.”
Por Lohan theksoi se pavarësia e institucioneve kërkon konsolidim të mëtejshëm dhe se reforma në sistemin gjyqësor duhet të vazhdojë. Lidhur me tragjedinë e Gërdecit Brukseli thekson se kërkohet hetim i plot i çështjes. Në progres raport citohet se qeveria ka vijuar përpjekjet për të luftuar korrupsionin duke miratuar edhe strategji për këtë qëllim. Në këtë pikë vlerësohet fakti se është përmirësua perceptimi i publikut ndaj korrupsionit.
Helmut Lohan: “Vitin e shkuar në progres thuhej se korrupsioni është një problem shumë serioz, këtë vit ka një konsiderim tjetër. Ndryshimi i kësaj gjuhe është bërë për arsye të progresit të arritur në këta 12 muaj, gjithashtu është një tregues i qartë i nivelit të progresit të arritur deri tani dhe një agjendë të gjerë nismash të qeverisë për të luftuar korrupsionin.”
Në përgjigje të interesit të gazetarëve Lohan foli dhe për procesin e liberalizimit të vizave Shqipëri-Bashkimi Evropian, duke mos përjashtuar mundësinë që kjo gjë të ndodhë në vitin 2009. Ambasador i Komisionit Evropian listoi si masa serioze në këtë drejtim punën për hartimin e regjistrit elektronik të zgjedhësve sistemit të ri të adresave që do t’i shërbejnë procesit për pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike.
Helmut Lohan: “Shqipëria ka bërë progres në shumë fusha që janë të nevojshme për liberalizimin e vizave siç është kontrolli i kufijve. Qeveria është e angazhuar të punojë në bazë të planit për liberalizimin që parashikon një sërë kushtesh për tu plotësuar, por unë nuk e përjashtoj mundësinë që Shqipëria të mund t’i përmbushë kushtet e kërkuara brenda vitit 2009.”
Në kriteret politike theksohet ndër të tjera se kuvendi ka konsoliduar rolin e tij si vend i debatit politik. Një numër ligjesh kanë kaluar për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë evropian. Forcat politike kanë nisur të bashkëpunojnë për çështje të mëdha. Ky konsensus mes mazhorancës që qeveris dhe partisë më të madhe në opozitë ka siguruar progres në reformat në gjyqësor dhe në sistemin zgjedhor, gjithashtu progres raportohet dhe në ekonomi në përpjekje të Shqipërisë për të vendosur një ekonomi tregu funksionale.
Konferenca e ambasadorit Lohan u parapri nga ceremonitë rastit të dorëzimit të dorëzimit të progresraportit për vitin 2008, autoriteteve më të larta të shtetit dhe qeverisë shqiptare, fillimisht kryeministrit Berisha.
Sali Berisha: “Ky raport përbën vlerësimin më objektiv të zhvillimeve në Shqipëri gjatë këtij viti. Raporti përbën një dokument të shkëlqyer për qeverinë time si program pune, por në mënyrë absolute dua të them këtu edhe si program elektoral për kërkesat që shtron dhe problemet që duhet të zgjidhim, dua të siguroj Komisionin Evropian dhe shqiptarët se stacioni me të cilin kemi arritur përbën thjesht një bazë shumë të fuqishme për të arritur më shpejt objektivat e shumta që duhen realizuar.”
Lohan dorëzoi një kopje të progres raportit dhe presidentit Topi si dhe kryeparlamentares Topalli./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Klevis Caka