Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë deklaratat e para në lidhje me akuzat që kryetari i komitetit të kongresit për mbikëqyrjen dhe reformat qeveritare Henry Waxman ka bërë ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë.

Në një letër drejtuar departamentit amerikan të shtetit Waxman flet për një takim mes zotit Withers dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu, ku sipas tij ky i fundit i ka kërkuar ndihmë për të fshehur origjinën e municioneve që Meico i shiste kompanisë AEY.

Zëdhënësi i këtij departamenti Tom Casy ka deklaruar se nuk ka ndonjë informacion se zyrtarët amerikanë janë të përfshirë në këto lloj aktivitetesh të paligjshme. Sipas tij ambasadori Withers dhe persona të tjerë që përmenden në  këtë letër janë diplomatë karriere dhe asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë adresë biznesi me firmën AEY. 

Ndërkohë që sipas gazetës New York Times, ambasadori Withers ka mohuar që  të jetë takuar me ministrin Mediu për këtë çështje. Në letrën e senatorit Waxman që i është dorëzuar zyrës së sekretares Rice , të dhënat për këtë takim i referohen dëshmisë së shefit të zyrës së bashkëpunimit për mbrojtjen në ambasadën amerikane Larry Harrison.

Sipas dëshmisë së Harrison, ky takim është mbajtur më 19 nëntor të vitit 2007, ku është diskutuar mbi reagimet dhe kundërpërgjigjet ndaj hetimeve të gazetës New York Times dhe nuk është raportuar në departamentin e shtetit.

Sot komiteti i mbikëqyrjes dhe reformave qeveritare, do të mbajë një seancë ku do të ekzaminohen të gjitha kontratat e kompanisë  AEY, me qeverinë amerikane dhe presidenti i firmës AEY Efraim Diveroli do të përballet me kongresin në lidhje me akuzat e ngritura nda tij.

Ndërsa ambasadori Withers dhe pesë zyrtarë të tjerë pritet të japin dëshmitë e tyre në kongres para datës 11 korrik./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj