Ambasadori amerikan në Tiranë John Withers ka reaguar në lidhje me pretendimet e përfaqësuesit të kongresit Henry Waxman, se ai ka patur dijeni në lidhje me aktivitetin e kompanisë AEY. Në një deklaratë për shtyp të ambasadës amerikane thuhet se zoti Withers po studion përmbajtjen e letrës dhe sapo ta ketë mbaruar atë do të përgatisë një përgënjeshtrim të plotë dhe çfarëdo pretendimesh kundra ambasadës apo atij vetë.
Më herët gazeta New York Times shkruante se ambasadori Withers ka mohuar të jetë takuar me ministrin Mediu për këtë çështje. Sipas gazetës një zyrtar i lartë i departamentit amerikan të shtetit, i cili ka mbetur anonim për shkak të hetimeve ka deklaruar se ai i ka telefonuar të hënën zotit Withers dhe se diplomati e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike dëshminë e majorit Harrison.
Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka mohuar të këtë informacione për përfshirjen e zyrtarëve në aktivitete të tilla, duke sqaruar se këto akuza po shqyrtohen. Një letër drejtuar departamentit të shtetit Waxman flet për një takim të zhvilluar mes zotit Withers dhe ish-ministrit të mbrojtjes Mediu, ku sipas tij ky i fundit i ka kërkuar ndihmë për ti fshehur origjinën e municioneve që Meico i shiste kompanisë AEY.
Të dhënat për takimin mes Withers dhe Mediut i referohen pikërisht dëshmisë së shefit të zyrës së bashkëpunimit për mbrojtje në ambasadën amerikane në Tiranë Larry Harrison.
Sipas dëshmisë së tij ky takim është mbajtur më 19 nëntor të vitit 2007, ku është diskutuar mbi reagimet e kundërpërgjigjet ndaj hetimeve të gazetës New York Times dhe nuk është raportuar në departamentin amerikan të shtetit. /tvklan.al