Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë deklarata e para në lidhje me akuzat që kryetari i komitetit të kongresit për mbikëqyrjen dhe reformat qeveritare, Henry Waxman ka bërë ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë.
Në një letër drejtuar Departamentit të Shtetit, Waxman flet për një takim të zhvilluar mes zotit Withers dhe ish-ministrit të mbrojtjes Mediu, ku sipas tij, ky i fundit ka kërkuar ndihmë për të fshehur origjinën e municioneve që Meico i shiste kompanisë AEY.
Zëdhënësi i këtij departamenti Tom Casy ka deklaruar, se nuk ka një informacion se zyrtarët amerikanë janë të përfshirë këto lloj aktivitetesh, duke sqaruar se këto akuza po shqyrtohen. Sipas tij ambasadori Withers dhe persona të tjerë që përmenden në këtë letër janë diplomatë karriere dhe asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë interes biznesi me firmën AEY.
Ndërkohë që sipas gazetës New York Times, ambasadori Withers ka mohuar që të jetë takuar me ministrin Mediu për këtë çështje. Në letrën e senatorit Waxman që i është dorëzuar zyrës së sekretares Rice, të dhënat për këtë takim i referohen dëshmisë së shefit të zyrës së bashkëpunimit për mbrojtje në ambasadën amerikane në Tiranë, Larry Harison.
Por New York Times shkruan se një zyrtar i lartë e departamentit amerikan të shtetit, i cili ka kërkuar të mbetet anonim për shkak të hetimeve ka deklaruar se ai i ka telefonuar të hënën zotit Withers dhe se diplomati e ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike dëshminë e majorit Harison.
Sipas dëshmisë së Harison, ky takim është zhvilluar më 19 nëntor të vitit 2007, ku është diskutuar mbi reagimet dhe kundërpërgjigjeve ndaj hetimeve të gazetës New York Times dhe nuk është raportuar në departamentin amerikan të shtetit.
Sot komiteti mbikëqyrjes dhe reformave qeveritare mban një seancë ku do të ekzaminohen të gjitha kontratat e kompanisë AEY me qeverinë amerikane dhe presidentin e firmës Efraim Diveroli, i cili do të përballet me kongresin në lidhje akuzat e ngritura ndaj tij. Ndërsa ambasadori Withers dhe 5 zyrtarë të tjerë, pritet të japin dëshminë e tyre në kongres para datës 11 korrik./tvklan.al
Gazetare: Justina Ukaliaj
Montazh: Vilma Halilaj