Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu reagon ashpër ndaj akuzave të hedhura në shtypin amerikan, vetëm pak ditë pas letrës së ambasadorit amerikan. Ku sipas John Withers, ish-ministri Mediu i ka kërkuar të mos pranojë investigimin e gazetarëve amerikanë, për trafikun e armëve kineze nga Shqipëria përmes kompanisë AEY.
Fatmir Mediu: “S’ka trafik, ka shitje municioni që është një proces që ka filluar që në vitin 1990 edhe sot bëhet shitje municioni dhe kjo shitje municioni është tërësisht e ligjshme. Shqipëria nuk ka asnjë pengesë ligjore për të shitur municion kinez, rus apo çdo lloj tjetër. Unë jam njohur nëpërmjet disa prononcimeve të shtypit, megjithatë nuk kam ndonjë koment për deklaratat e ambasadorit Withers. Dua të theksojë që në detyrën time si ministër i mbrojtjes kam pasur marrëdhënie jashtëzakonisht korrekte në respektim të ligjit dhe partneriteti me institucionet amerikane dhe përfaqësuesit amerikanë në Tiranë dhe çdo gjë e kemi bërë në bashkërendim të respektimit të ligjit dhe partneritetit të përbashkët.”
Në të parin prononcim për mediat pas akuzave të senatorëve amerikanë se ambasadori Withers ka qenë në dijeni të një trafiku armësh nga Shqipëria. Mediu bën publike raportin e tij me shtetin amerikan mbi këtë çështje.
Fatmir Mediu: “Çdo gjë që ne kemi bërë në shitjen e armëve të kompanisë AEY kë qenë tërësisht e ligjshme. Shqipëria nuk ka asnjë pengesë ligjore që të shesë municion kinez dhe duke mos pasur asnjë pengesë ligjore për të shitur municion kinez nuk ka asnjë arsye për ta fshehur këtë fakt. /tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani