Ambasadori Amerikan në Tiranë John Withers, doli sot në një konferencë për shtyp, ku tha se procesi i pajisjes së shtetasve shqiptar ma karta identiteti po ecën me ritme të pëlqyeshme, por evidentoi problemet teknike kryesisht në zonat rurale.

John Withers: “E shoh inkurajues faktin që 1.2 milion shqiptar kanë aplikuar për kartat e identitetit. Përshtypja jonë e përgjithshme është që gjërat po funksionojnë, por që mbeten gjëra teknike veçanërisht në zonat rurale. Kemi mësuar që numri i stafit që punon është i pamjaftueshëm për numrin e qytetarëve që shkojnë për të aplikuar në një moment të caktuar. Në disa qendra të tjera ka pasur probleme me linjën e internetit apo me furnizimin me energji elektrike. Ndërsa në disa zyra të tjera ka mospërputhje me orarin e funksionimit të këtyre zyrave. Ndodh shpesh herë që kur njerëzit shkojnë qëllon që  këto zyra nuk janë ende duke funksionuar me orare të caktuara.”

Withers bëri të ditur se problemet u evidentuan gjatë informacioneve që ministria e brendshme i ka vënë në dispozicion trupit diplomatik si dhe organizatave që kanë akses për të monitoruar procesin.

John Withers: “ Jemi të informuar lidhur me raportet e funksionimit të qendrave të administrimit të kartave në mbarë Shqipërinë. Jemi në kontakt me organizata ndërkombëtare, detyra dhe eksperienca e të cilave është të shqyrtojnë dhe të shohin funksionimin e këtyre qendrave. Punonjës të ambasadës amerikane kanë vizituar rajonet në mbarë Shqipërinë. Dhe shpresojmë se në fund të këtij proces do të kemi pasur punonjës që kanë vizituar të 12 rajonet e Shqipërisë.

Ambasadori Amerikan në Tiranë John Withers, personalisht i ka bërë apel qytetarëve shqiptar të pajisen me karta, ai kërkoi njëkohësisht edhe ndërhyrjen e qeverisë që të përcaktojnë saktë numrin  e shtetasve të mbetur pa asnjë dokument identifikimi.

John Withers: “Është e rëndësishme që agjencitë qeveritare, qeveria të bëjë çdo gjë në dorën e saj për të inkurajuar këto qytetar që të sigurohet që të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar dhe karta e cila është prodhuar të shkojnë dhe ta marrin këtë kartë.”

Ndërkohë për sa i përket mundësisë së shtyerjeve së zgjedhjeve, një alternativë e hedhur në treg nga opozita, Withers tha se kjo është një çështje që i përket thjesht dhe vetëm politikës shqiptare.

 John Withers: “Në pikëpamjen time ne kemi përsëri mundësinë që gjërat të funksionojnë siç ishin planifikuar. Forcat e ndryshme politike realizuan atë plan që kemi përpara nesh sot. Mendoj se duhet të ndërmerret çdo përpjekje e mundshme që ky plan të funksionojë dhe të realizohet, sepse është një plan i arritur me marrëveshje mes forcave politike.”/tvklan.al

Gazetare Anduena Llabani