Në të gjithë vendin gjenden tonelata materiale eterniti, i cili në gjendje të degraduar përbën një rrezik të lartë për sëmundje kancerogjene për shkak të fijeve të amiantit.

Jashtë kësaj panorame nuk kanë mbetur as disa nga zonat turistike të vendit. Romeo Hanxhari, specialist mjedisi evidenton si me shqetësuese gjendjen në Theth, Voskopojë apo Llogara, ku çatitë e shtëpive janë të mbuluara me eternite të degraduara.

Romeo Hanxhari: “Në fshatin e Thethit pothuajse të gjitha çatitë e shtëpive që nuk janë rinovuar pas viteve ’90 dhe që janë rreth 11% e shtëpive janë me mbulesë eterniti. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Llogaranë, të njëjtën gjë mund të themi edhe për Voskopojën. Mbi gjysma e shtëpive të Voskopojës ka qoftë në banesa apo qoftë në mjediset për bagëtitë mbulesa me eternit tepër të degraduar dhe këtu nuk është fjala për të bërë një anti-reklamë, por është fjala për të parandaluar një anti-reklamë.”

Eterniti i dëmtuar çliron në ajër fije amianti, të pakapshme për syrin e njeriut, por nëse një fije e tillë do të depërtonte në organizëm nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes mund të maturojë tumor gjatë 15 viteve në vijim.

Gjithsesi Hanxhari shton se në rastin konkret nuk duhet të përfshihemi nga paniku.

Romeo Hanxhari: “Në rast se na kap paniku atëherë ne shkojmë dhe i heqim vetë mbulesat e eternitit, i hedhim jashtë shtëpisë. Në të gjithë botën është rreptësishtë e ndaluar që të preken strukturat e eternitit në mënyrë amatore dhe të hiqen me sqepar e me çekan, sepse një nga format e lëshimit të fijeve të amiantit është copëtimi apo, pra dëmtimi fizik. Strukturat e eternitit, të cilat janë relativisht të degraduara të lyhen me bojën e posaçme që bën rikompaktësimin e eternitit për të penguar lëshimin e fibrave të amiantit.”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë thënë jo amiantit vite më parë, pasi konsiderohet si materiali më kancerogjen mes materialeve të punës.

Në vendin tonë eterniti gjendet kryesisht në ambientet e ish-parqeve industriale, por edhe në çatitë e shtëpive apo në tubat e shkarkimit të ujit në pallatet e vjetra.

Hanxhari thekson se në Shqipëri dihet ende pak mbi rrezikun që mbart eterniti, ndërkohë që mungon legjislacioni apo strukturat e specializuara për izolimin dhe më pas eliminimin e këtij materiali të rrezikshëm./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro