Kjo shtresë e degraduar eterniti përben një vatër kancerogjene për shkak të fibrave të amiantit që lëshon në ajër.
Do të mjaftonte qofte një fije e vetme amianti, e pakapshme për syrin e njeriut, e futur në organizëm nëpërmjet ajrit për të maturuar tumor gjatë 15 viteve në vijim.
Romeo Hanxhari, specialist mjedisi, thotë se me një rrezik të tillë përballemi çdo ditë pasi në të gjithë vendin gjenden tonelata eterniti të përdorura kryesisht në ambientet e ish-parqeve industriale.
Romeo Hanxhari: “Amianti konsiderohet tani nga të gjithë bota shkencore si materiali më kancerogjen i përdorur ndonjëherë në botën e punës. Trajta më e përdorur në Shqipëri është ajo e eternitit, material i cili ka në përbërje të tij 30-40% amiant dhe pjesën tjetër çimento të veçantë e cila e lidh dhe në kushtet kur eterniti degradohet nga kushte atmosferike, atëherë fijet e amiantit nuk ka më çfarë i mban të bashkuara dhe çlirohen në atmosferë. Sasia që është përdorur në Shqipëri, shkon me qindra ton”.
Këta banore të kryeqytetit me siguri nuk e dinë rrezikun që u kanoset çdo ditë në ajrin që përdorin si pasojë e shpërbërjes së eterniteve të kësaj godine.
Sikur të mos mjaftonte kjo, shtresa kancerogjene e eternitit është bërë strehë për linjat e autobusëve ndërqytetëse.
Romeo Hanxhari: “Këtu jemi në një rastin e një mbulese eterniti të degraduar, dmth me rrezikshmëri të lart të lëshimit të fijeve të amiantit dhe kjo zonë ose kjo ndërtesë e vjetër që duhet trajtuar me kushte të veçanta, është dedikuar për stacion autobusi. Ne apriori mund ta themi me siguri të plotë që kemi të bëjmë me njësitë të rrezikshëm. Praktikisht çdo njeri, jo vetëm pasagjerët po dhe ne që jemi këtu dhe ata që kalojnë rastësisht rrugës mund të bëhen viktimë e thithjes me anë të frymëmarrjes të fijeve të amiantit që lëshon eterniti pasi degradohet”.
Në SHBA materialet me përbërje amianti janë ndaluar mese çerek shekulli, ndërsa BE i ka thënë jo përdorimit prej mese 5 vjetësh, thotë Hanxhari, duke shtuar se në vendin tonë mungon një legjislacion i tillë që do tu vinte fre dhe do të eliminonte këto materiale kancerogjene./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro