Në të gjithë vendin gjenden tonelata material eterniti, i cili në gjendje të degraduar, përbën një rrezik të lartë për sëmundje kancerogjene për shkak të fijeve të amiantit.
Jashtë kësaj panorame nuk kanë mbetur as disa zona turistike të vendit. Romeo Hanxhari, specialist mjedisi evidenton si më shqetësuese gjendjen në Theth, Voskopoje apo Llogara, ku çatitë e shtëpive janë të mbuluara me eternite të degraduara.
Romeo Hanxhari: “Në fshatin e Thethit, pothuajse të gjitha çatitë e shtëpive që nuk janë rinovuar pas viteve ’90 dhe që janë rreth 11% e shtëpive janë me mbulesa termiti. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Llogaranë, të njëjtën gjë mund të themi edhe për Voskopojën. Mbi gjysma e shtëpive të Voskopojës ka qoftë në banesa apo qoftë edhe në mjediset për bagëtitë, mbulesa me eternit tepër të degraduar, dhe këtu nuk është fjala për të bërë një anti-reklamë, po është fjala për të parandaluar një anti reklamë”.
Eterniti i dëmtuar çliron në ajër fije amianti, të pakapshme për syrin e njeriut, por nëse një fije e tillë do të depërtonte në organizëm nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes mund të maturojë tumor gjatë 15 viteve në vijim. Gjithsesi, Hanxhari shton se në rastin konkret nuk duhet të përfshihemi nga paniku.
Romeo Hanxhari: “Në rast se na kap paniku, atëherë ne shkojmë dhe i heqim vetë mbulesat e eternitit, i hedhim jashtë shtëpisë. Në të gjithë botën është rreptësishtë e ndaluar që të preken strukturat e eternitit në një mënyrë amatore dhe të hiqen me sqepar e me çekan. Sepse një nga format e lëshimit të fijeve të amiantit është edhe copëtimi apo pra dëmtimi fizik. Strukturat e eternitit të cilat janë relativisht të degraduara të lyejnë me bojën e posaçme që bën rikompaktësimin e eternitit për të penguar lëshimin e fibrave të amiantit”.
SHBA dhe BE i kanë thënë jo amiantit vite më pare, pasi konsiderohet si materiali më kancerogjen mes materialeve të punës.
Në vendin tonë eterniti gjendet kryesisht në ambientet e ish parqeve industrial, por edhe në çatitë e shtëpive apo në tubat e shkarkimit të ujit në pallatet e vjetra.
Hanxhari thekson se në Shqipëri dihet ende pak mbi rrezikun që mbart eterniti, ndërkohë që mungon legjislacioni apo strukturat e specializuara për izolimin dhe më pas eliminimin e këtij materiali të rrezikshëm./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro