Amir Rrahmani po përjeton një tjetër sezon pozitiv me Napolin. Mbrojtësi shqiptar, por që përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare dhuroi një performancë tepër të mirë në takimin e fundjavës së shkuar kundër Xhenoas.
Përpos ndërhyrjeve shpëtimtare, duke neutralizuar sulmet e kundërshtarëve, 30-vjeçari shënoi edhe golin e dytë e atë të sigurisë për jugorët. Një devijim i saktë me kokë prej tij, për ta kurorëzuar edhe me një vend në formacionin ideal të javës së 17-të në Serie A.
Rrahmani gjendet në qendër të mbrojtjes, me faqen e specializuar të statistikave, Sofascore që e vlerëson me notën 7.8. Vlerësimi më i ulët në 11 më të mirë të javës në elitën e futbollit italian, por e vlefshme për të qenë pjesë. Rrahmani qëndroi në fushë gjatë gjithë sfidës, teksa në 4 raste spastroi zonën, dy prej të cilave ishin tepër të rrezikshme për të pësuar.
Edhe loja në ajër ishte e barabartë me kundërshtarin, pasi në 10 tentativa vetëm 5 kishin fitues mbrojtësin shqiptar. Në 18 takimet e deritanishme në të gjithë kompeticionet, Rrahmani ka shënuar 1 herë dhe ka asistuar në 2 raste.
Klan News