E shlyente dënimin 25 vjeçar këtë të Premte, doli të Mërkurën nga qelia si përfitues i Amnistisë. Ky burrë nga Fieri i cili la qelitë e burgut të Peqinit thotë se nuk u ka asnjë borxh autoriteteve.
-Edhe sa ditë ju kishin mbetur nga dënimi?
“Dy ditë, ja ku e ke. Ja ta shikosh, u thoni atyre meqë ju paskan dërguar juve, e kam bërë burgun kokërr më kokërr, me fasulet e këtyre.”
-Sa vjeç ishit kur u futët në burg?
“30 vjeç.”
–Si kanë qenë këto vite për ju?
“30 vjet sterr!”
Ndërkohë Bledi Laku nga Tirana pas tre viteve në burgun e Rrogozhinës la qelinë mesidtën e kësaj të mërkure. 50 ditë nga shlyerja e dënimit përfitoi nga amnistia. Ka qenë i dënuar për aksidentimin e një punonjësi policie dhe sot ende ndihet në faj. “Jam fajtor shumë që e kam bërë atë punë dhe i kërkoj falje publikisht atij zotit polic i cili gëzon shëndet të plotë tani. Për gabimin që bëra, vuajta dënimin.”
Një ditë e gëzuar jo vetëm për të burgosurit, por edhe për familjarët e tyre. Kjo grua priti daljen e vëllait i cili është sërish i lirë pas 24 vitesh.
“Shumë e vështirë ka qenë, nuk i thonë pak 24 vite të presësh.”
Ndërsa ky familjar qëndroi disa orë para burgut të Fierit vëllanë e tij 72 vjeçar i dënuar 5 vite e 4 muaj për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
“U dënua për hashash dhe lirohet sot.”
Mes atyre që përfituan kishte edhe ish-zyrtarë. Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj la qelinë e burgut të Reçit. “Shnet dhe mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Mbarësi në familjet e tyre, gjithë të mirat!”
Klan News