Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim tha se Marcus Rashford ende dëshiron të luajë për ekipin, pavarësisht se janë shtuar spekulimet se ai kërkon që të largohet. Tekniku portugez foli përpara takimit kundër “Wolves” në Premier Ligë dhe tregoi se ishte vendimi i tij për ta lënë atë jashtë në tri sfidat e fundit. Rashford, i cili ka qenë pjesë e klubit që nga mosha 7 vjeçare deklaroi pasi la në stol në derbi ndaj City-t se ishte gati që të niste një sfidë të re, duke shkaktuar shumë reagime.
Ai ka shënuar tre gola që kur Amorim u ul në stol, por së fundmi ka pasur shkëndija edhe me tifozët e “Djajve të kuq”.
“Po, është vendimi im, ai dëshiron të luajë, përpiqet, por, po, është vendimi im, vetëm vendimi im! Unë dua vetëm të fitoj ndeshje, sepse e di që ka një projekt afatgjatë dhe ne jemi të fokusuar në këtë! Por e di gjithashtu që në klubet e mëdha, koha është e pakët dhe duhen fituar sfida, kështu që e kam të qartë përgjegjësinë që kam këtu. Por unë jam duke u përpjekur ta menaxhoj këtë ekip që të mos ketë dëmtime. Ndryshe do të përbëjë problem madh! Dua vetëm që të fitojmë ndeshje!”
Pas 17 javësh, “Djajtë e kuq” ndodhen në vend të 13 në renditjen e Premier Ligës në kuotën e 22 pikëve, 9 pikë më pak se sa vendi i katërt në renditje, që mbahet nga Nottingham Forest. Ndërsa “Wolves” gjendet në vend të 18-të me 10 pikë më pak.
Klan News