Elja Zotka: “Zoti Harasani, si e shikoni përballjen Lakrori-Rama? A ju duket ajo një garë e vërtetë?”

Andis Harasani: “Me thënë të drejtën nuk e kam ndjekur shumë turin e zotit Lakrorit dhe zotit Rama. Ajo është një garë e cila për mua nuk është garë dhe prandaj nuk e kam ndjekur, por më vjen keq që vazhdoj shikoj bërjen e aleancave fluide, bërjen e aleancave me persona të veçantë. Kjo tregon që nuk kemi mësuar asgjë nga humbja e 28 Qershorit. Më vjen keq që kryetari në detyrë e ka më të lehtë që të bëjë aleanca pa miratimin e strukturave përkatëse të partisë me persona të veçantë, qofshin këto copëza të PD-së, copëza të LSI-së, pra të dy blloqeve, të cilët kanë qenë kundërshtarë me ne më 28 Qershor. Të bësh aleanca me to dhe të lësh jashtë çdo mbledhje, jashtë çdo takimi zyrtar ata aleatë, ata bashkëpunëtor të tu, me të cilët t’i luftove më 28 Qershor mua më duket e pamoralshme.”

Elja Zotka: “Javën e kaluar ju së bashku me katër deputetë të tjerë të grupit parlamentar i bëtë thirrje kryetarit në detyrë të ndërprejë bojkotin dhe për kthimin e grupit parlamentar në kuvend. A keni pasur një përgjigje nga zoti Rama?

Andis Harasani: “Fatkeqësisht morëm një përgjigje nga dy kolegë të tjerë të po të grupit parlamentar, megjithatë nuk ka rëndësi përgjigja, rëndësi ka që ne do vazhdojmë të këmbëngulim për kthimin e Partisë Socialiste nëpër institucione për të respektuar institucionet dhe për të kërkuar nëpër këto institucione se ku është e drejta për zgjedhjet e 28 Qershorit. Ne nuk mund t’i japim qeverisë Berisha-Meta luksin që të bëjë çfarë të dojë në parlament, të bëjë çfarë të dojë në të gjitha institucionet legjitime të këtij vendi”.

Elja Zotka: “Të shtunën janë zgjedhjet për kryetar. A do të votoni ju, zoti Harasani?”

Andis Harasani: “Jo, nuk do të votoj. Unë të shtunën besoj që do kemi takime me strukturat e Partisë Socialiste në një nga qytetet e mëdha të Shqipërisë, ashtu siç do kemi dhe një takim të madh ditën e enjte, besoj është vendosur në Durrës. Ne do vazhdojmë të pyesim bazën. Kjo është një garë, të cilën nuk e njohim për vetë mënyrën se si erdhi kjo garë. Nuk do të votoj”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka