Anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta në plota në NATO po i shërben edhe tërheqjes së investitorëve të huaj. Gjatë një vizite në Tiranë, një grup sipërmarrësit turq të sektorit të energjisë dhe gazit janë shprehur entuziaste për të investuar në Shqipëri, tashmë të favorizuar edhe nga siguria që mbart anëtarësimi në NATO. Selim Siper, kryetar i shoqatës së gazit të Turqisë LPG, tha se një fakt i tille i jep avantazhe të konsiderueshme tregut shqiptar.
Selim Siper: “Është mjaft pozitive futja e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, pasi do të thotë hapja më e madhe e tregut për investitorët e huaj të cilët do të kenë një fushë më të sigurtë për të investuar. Shqipëria tashmë është po aq e sigurtë sa vendet e tjera të NATO-s. Popullsia e re dhe trendi pozitiv i zhvillimit ekonomik të viteve të fundit na jep akoma më shumë garanci për të investuar këtu.”
Sipërmarrësit turq patën një takim me drejtues të dhomës së Tregtisë dhe Industrisë se Tiranës ku biseduan rreth rritjes se bashkëpunimit ekonomik. Në këtë kuadër Kryetari i kësaj dhome, Gjok Uldedaj tha se së shpejti në Stamboll do të çelet një Zyrë Përfaqësimi e biznesit shqiptar./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro