Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Departamenti i Mbrojtjes do të mbështesin e ndihmojnë Shqipërinë në procesin e asgjësimit të municioneve të tepërta dhe në vijimin e reformave. 

Këtë garanci e mori Ministri Shqiptar i Mbrojtjes Gazmend Oketa në Pentagon gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes Robert Gates. Në vizitën e tij dyditore në SHBA, Oketa pati një takim pune dhe me kreun amerikan të mbrojtjes i cili e siguroi se do t’i japë ndihmesën e tij dhe të institucionit që ai drejton në fushën e mbrojtjes.


Ministri Oketa falënderoi në mënyrë të veçantë qeverinë amerikane për mbështetjen dhe ndihmesën e madhe që kanë dhënë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO.

Gazmend Oketa: “Natyrisht pika e parë e bisedimit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Një anëtarësim i cili natyrisht nuk shihet si arritja e fundit. Procesi i integrimit të Shqipërisë në strukturat atlantike të NATO-s vazhdojnë.”


Sekretari Gates vlerësoi dhe falënderoi kontributin e Shqipërisë dhe të Forcave të Armatosura Shqiptare në misionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, shprehu edhe njëherë urimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare, për të rritur kontributin e paqeruajtësve në Afganistan. Ai u shpreh optimist për rolin vendimtar që ka Shqipëria si një faktor stabiliteti në politikë bërjen në rajon e më gjerë.

Gazmend Oketa: “Patëm kënaqësinë të shohim edhe njëherë ngritjen e flamurit shqiptar përkrah 27 flamujve të aleancës së Atlantikut të Veriut dhe përkrah flamurit të NATO-s.”

Pas një takimi midis ministrit shqiptar Oketa dhe komandantit të kësaj komande, gjeneralit Mattis, u vlerësua jo vetëm anëtarësimi i të dy vendeve në Aleancë por edhe kontributet e tyre në misionet paqeruajtëse.

Në përshëndetjen e tij ministri shqiptar i Mbrojtjes theksoi se tradita shqiptare ka qenë bashkimi rreth flamurit, traditë kjo që tashmë ka marrë një simbolikë edhe më të gjerë, bashkimin rreth të gjithë flamujve të vendeve të Aleancës.

Gazmend Oketa: “Anëtarësimi me të drejta të plota në NATO mund të konsiderohet tashmë si një fakt më tepër juridik pasi në terma praktik ushtarakët shqiptarë kanë vite nëpërmjet kontributit të tyre në misione të ndryshme paqeruajtëse. Kanë dëshmuar se praktikisht ata e kanë merituar që të jenë anëtar të kësaj aleance të Atlantikut të veriut.”

Shqipëria dhe Kroacia u pranuan si anëtare të NATO-s më 4 prill 2009 në samitin e Strasburgut Koln të Aleancës./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani