Prokuroria e Posaçme mori të pandehur 9 persona që i konsideron si anëtarë të grupit kriminal që drejtohej nga Laert Haxhiu, teksa thotë se ka ndarë çështjen dhe vijon më vete hetimet për këtë të fundit.

Në një komunikim zyrtar, Prokuroria e Posaçme thotë se ata janë përgjegjës për 5 vrasje, 4 vendosje tritoli në banesa dhe biznese të ndryshme dhe 3 vjedhje të dhunshme gjatë viteve 2021 deri në Maj 2023.

Hetimet thotë SPAK konfirmuan se grupi drejtohej nga Laert Haxhiu dhe krimet e grupit u ndalën pas arrestimit të tij.

Si motiv për pjesën më të madhe të vrasjeve dhe shkatërrimit të pronave më eksploziv për të cilat ata akuzohen hetuesit kanë konfirmuar që është hakmarrja për vrasjen e djalit të xhaxhait të tij vite më parë nga ajo që është njohur si Banda e Aldo Barës.

Grupi i Haxhiut u zbulua nga bashkëpunimi i Artan Tafanit me drejtësinë pas arrestimit të tij si autor i një grabitje në Astir.

Ndërkohë SPAK thotë se vijon hetimet më vete për Laert Haxhiun pasi e dyshon edhe për aktivitete të tjera kriminale.

Të akuzuarit: Lulzim Spahija (Arapi); Artan (Marjus) Tafani; Ligor Romacka; Bledar Berberi; Erisiano Abedini; Bujar Abedini; Mariglen Topuzi; Idriz Manej; Enriko Xhahysa.

Ngjarjet kriminale për të cilat akuzohet ky grup i struktuar janë:

  1. “Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Arian Aliço, ngjarje e ndodhur më datë 05.04.2021 në  Lushnjë;
  2. “shkatërrimi i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasve, Besnik Çoku dhe Erion Çoku, ngjarje e ndodhur më datë 29.05.2021, ora 02:15, lagjia “Gafurr Muço”, pallati Nr.4, Lushnjë;
  3. “vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Çajup Selimi, ngjarje e ndodhur më datë 01.06.2021, ora 21.15, në Tepelenë;
  4. “vrasje me paramendim” e ndodhur më datë 02.06.2021, me viktimë Fridman Xhaferraj, trupi i të cilit u gjet i pajetë më datë 13.06.2021, tek rezervuari i Gjançit, në Korçë; 
  5. “vrasje me paramendim”, e kryer për interes, me viktimë Alban Semaku (Elton Mermali), ngjarje e ndodhur në lagjen Çezme, Peqin, më datë 17.10.2021;
  6. “vrasje për gjakmarrje” me viktimë Albi (Dijonist) Bashaliu, ngjarje e ndodhur në Gjoçaj, Peqin, më datë 27.12.2021;
  7. “vjedhje me armë” e automjetit të Gëzim Çepele, më datë 27.01.2022, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë karburant-bar-restorant Palmanova,Tiranë; 
  8. “vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të Kujtim Meta, e kryer për interes, e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnje;
  9. shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bashkim Rajku e Rigels Rajku (Noizy),  ngjarje e ndodhur më datë 08.06.2022, në Durrës;
  10. “shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të Bujar Turku, ngjarje e ndodhur më datë 01.11.2022, në  Lushnje;
  11. “shkatërrim i pronës me eksploziv” sërish në dëm të Bujar Turku/Resmije Turku, ngjarje e ndodhur më datë 31.12.2022, në  Lushnje;
  12. “vjedhje me armë” e automjetit në pronësi të Marjus Zejneli, e ndodhur më datë 22.02.2023, në Sallmone, Shijak (Durrës);
  13. “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Genci Hidës në Lushnjë, në periudhën prill-maj 2023;
  14. “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në mjedise të hapura për publikun;
  15. “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’’në sasi të mëdha;

Tv Klan