Firdeuss Berberi, i cili kërkohej nga drejtësia shqiptare si autor i një plagosje në Prill të 2022 në Pogradec u ekstradua këtë të mërkurë nga Greqia.
Ai u soll nga kufiri tokësor dhe e morën forca të shtuara të sigurisë siç duket edhe në këto pamje të shpërndara nga Policia e Shtetit.
Berberi u arrestua në Maj të 2023 teksa ishte futur ilegalisht në Greqi bashkë me Laert Haxhiun, ky i fundit i konsideruar si një nga njerëzit më të kërkuar në atë kohë në Shqipëri dhe i ekstraduar disa javë më parë në vendin tonë.
Berberi ishte në kërkim pasi dyshohet se në 25 Prill të 2 viteve më parë bashkë me shtetasin Griseld Maxhari, qëlluan me armë zjarri ndaj shtetasit Johan Muçllari.
Për këtë ngjarje në pranga në atë kohë përfunduan edhe 5 persona të tjerë të dyshuar se nuk kallëzuan krimin dhe ndihmuan dy autorët të largohen.
Po këtë të mërkurë u ekstradua nga Greqia edhe Kujtim Demiri i dënuar me 14 vite burg për trafikim të të miturve.
Tv Klan