Apeli i Krimeve të Rënda ka rikonfirmuar masën e sigurisë arrest me burg për gjyqtarin e Shkëlqim Miri. 46-vjeçari akuzohet për korrupsion pasi dyshohet se në këmbim të 30 mijë eurove ka lënë në fuqi një vendim të Gjykatës së Matit që lehtësonte akuzën për një të dënuar për vrasje.
Avokati mbrojtës ka pretenduar se klienti i tij vuan nga probleme të rënda shendetësore dhe prej 4 ditësh ai ndodhet i shtruar në spitalin e burgut. Sipas mbrojtësit, gjyqtarit duhet t’i caktohet një masë më e butë pasi e ka të pamundur të qëndrojë në qeli. Por pavarësisht kësaj kërkese, togat e zeza vendosën ta lënë në burg Mirin deri në përfundim të hetimeve. Gjyqtari Miri u arrestua në datën 10 Nëntor. Sipas Prokurorisë, në bazë të përgjimeve ai ka marrë ryshfet për lënien në fuqi të vendimit për Gentian Dodën, i cili në 1997 kishte vrarë dy persona.
Për këtë ngjarje ai u dënua me 20 vite burg nga Gjykata e Matit. Por pas rigjykimit në vitin 2016 po kjo gjykatë vendosi të rikualifikoje veprën penale nga vrasje në plagosje dhe e dënoi përfundimisht me 8 vite burg. Por Prokuroria e ankimoi çështje dhe nga frika se Apeli i Tiranes mund të prishte vendimin, Gentian Doda pagoi 30 mijë Euro për lënien në fuqi të tij. Paratë nga hetimet i ka marrë i afërmi i gjyqtarit Kujtim Miri, i cili kishte rolin e sekserit në këtë histori. Edhe për këtë fundit Apeli i Krimeve të Rënda vendosi të lërë në burg.
Tv Klan