Hurmet Kadrija, shqiptari nga Kukësi në një lidhje direkte për emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan rrëfen rrugëtimin e tij drejt Dohas në Katar. I arsimuar për Administrim Biznes në Shqipëri, Hurmet Kadrija aplikoi për një punë në Doha pa e ditur se ku ndodhej dhe vetëm pasi e thirrën për intervistë e mësoi se ky qytet ndodhej në Katar.
Tashmë ai punon në një firmë shqiptare në Doha dhe tregon që është ambientuar mjaft mirë me vendin duke theksuar se gjëja që pëlqen më shumë aty është siguria dhe fakti që shumica e shërbimeve mund të merren online.
Sa i përket kthimit në Shqipëri ai shprehet që do të kthehet patjetër, ku mendon të investojë në turizëm, por jo këto vite.
Blendi Fevziu: Hurmet nga cila pjesë shqiptare je?
Hurmet Kadrija: Unë vij nga Kukësi dhe kam ardhur në Katar në 2017.
Blendi Fevziu: U zhvendose direkt nga Kukësi në Katar apo pate ndonjë stacion diku në Europë?
Hurmet Kadrija: Jo jo në fillim shkollën e mesme e kam bërë në Tiranë. Universitetin e kam bërë tek Ekonomiku për Administrim Biznes dhe masterin e kam bërë për Auditim. Kam punuar një vit e gjysëm në Tiranë, si ekonomist dhe pastaj aplikova për punë në Doha që as nuk e kisha idenë se ku ishte. Kisha bërë një aplikim për punë dhe nuk e kisha parë vendin dhe atë ditë që kisha intervistën e pash Dohan. Në fillim e mendova ndonjë nga këto fshatrat e Vlorës, por kur hyra në internet e shikoj se ku ishte dhe ndryshoi ajo rrjedha e gjërave.
Blendi Fevziu: U trembe në momentin e parë kur e pe se ku ishte?
Hurmet Kadrija: Jo faktikisht kam pasur qejf të vija në Lindjen e Mesme, por Dohën nuk e kisha dëgjuar si emër.
Blendi Fevziu: Me se merresh në Doha?
Hurmet Kadrija: Jam ekonomist. Është një firmë shqiptare që merret me instalime. Kompania punon në Doha.
Blendi Fevziu: Ka komunitet shqiptarë në Doha?
Hurmet Kadrija: Ka pasur shumë deri në Kupën e Botës sepse kanë ardhur firma shqiptare që punuan dhe kanë ndërtuar rrugët e stadiumet. Kanë ardhu këtu në Katar, pastaj pasi u mbyllën këto projekte pjesa më e madhe janë kthyer, por ka akoma shqiptarë. Kemi komunikim, organizohemi gati çdo vit. Jemi besoj mbi 70 veta që organizohemi jo vetëm për festat, por edhe për ndonjë event tjetër.
Blendi Fevziu: Cila është gjëja që të pëlqen më shumë në Doha?
Hurmet Kadrija: Siguria. Absolutisht kjo është e para. Është një vend i qetë dhe i sigurt dhe pjesa tjetër është që 95% të gjërave e ke online, pra nuk ke këto streset që të shkosh të zesh rradhën. Pjesën më të madhe të gjërave e zgjidhim online.
Blendi Fevziu: Po me vapën si ja bën?
Hurmet Kadrija: Kjo është pastaj pjesa e errët. Shkon deri në 60 gradë edhe është edhe lagështia pastaj që s’ka oksigjen nuk merr dot frymë. Kjo është arsyeja pse edhe shqiptarët ikën.
Blendi Fevziu: Po kthimin përfundimtar në Shqipëri e mendon?
Hurmet Kadrija: Absulutisht po. Kombësinë nuk e merr asnjëherë. E mendoj kthimin në Shqipëri, edhe dua të kthehem edhe nëse bëj një investim sado të vogël, por jo shumë shpejt.
/tvklan.al