Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Platforma mbi qëndrimin politik aktualë të Partisë Aleanca Demokratike, ka qenë tema e konferencës për shtyp që u mbajt në ambientet e kësaj partie. Zoti Arben Imami, kryetari i kryesisë, ka shpjeguar se Aleanca Demokratike konstaton se shumë nga rezervat dhe paralajmërimet, që ajo bëri në vitin 1992, rezultuan reale, se lëvizja për demokraci dhe progres në Shqipëri u fut në një rrugë të gabuar.

Më pas zoti Imami ka theksuar se qeverisja e koalicionit të së majtës me qendër liberale ka kontribuar dukshëm në vendosjen dhe ruajtjen e stabilitetit politik. Programi qeverisës i koalicionit Aleanca për Shtetin, ka qenë në përputhje me interesat madhore të vendit dhe ka hedhur bazat për integrimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Pjesëmarrja e PAD në një koalicion të udhëhequr nga PS, nuk ka të bëjë me motive ideologjike apo interesa partiake.

Në përfundim të fjalës së tij, zoti Imami ka thënë, se Aleanca Demokratike është e vendosur që në tërë qëndrimet, veprimet dhe aktivitetin e saj politik të mbaj parasysh interesat e stabilitetit, paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit./tvklan.al