Kontrollet tatimore ndaj biznesit do të kryhen bazuar në një analizë risku dhe jo nga ndonjë përzgjedhje tendencioze duke shmangur kështu abuzivitetin.
Këtë e mundëson projektligji i ri për procedurat tatimore, sipas të cilit pasi biznesi të ketë kryer vetëdeklarimin në formë elektronike specialistët e tatimeve do të vendosin të kryejnë ose jo kontroll fizik bazuar në një metodikë të re të mirë përcaktuar.
Drejtori i përgjithshëm i tatimeve, Arben Sefgjini, gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma Kombëtare e prodhuesve të veshjeve, nënvizoi lehtësirat që sjell për biznesin ligji i ri për procedurat tatimore dhe shtoi se ky ligj do të nisë të gjejë zbatim që prej muajit të ardhshëm.
Arben Sefgjini: “Nuk do të kemi përzgjedhje abuzive për të ushtruar kontroll nga administratat tatimore ndaj biznesit, por do të kemi përzgjedhje sipas një metode shkencore dhe profesionale për të përcaktuar subjekte, të cilat duhet t’i nënshtrohen kontrollit. Është një formë e re që së shpejti do të fillojë të aplikohet, ndoshta që në këtë muaj që vjen”.
Sipërmarrësit e konfeksioneve vlerësuan lehtësirat që sjell ligji i ri për procedurat tatimore e sidomos deklarimi online, ndërkaq shqetësuese për ta mbeten çështje që lidhen me pagën referuese dhe atë minimale./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro