Opinioni në Maqedoni është i ndarë lidhur me propozimin e Partisë Demokratike Shqiptare për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Përfaqësuesi shqiptar në qeverinë e Maqedonisë insistojnë se marrëveshja e Ohrit duhet të implementojë deri në fund, ndërkaq që propozimin e PDSH-së e vlerësojnë si tentim të kësaj partie për të kthyer në skenë politike.
Abdylhaqim Ademi: “Partia Demokratike Shqiptare nëpërmjet këtij dokumenti që ajo e quan marrëveshje dëshiron të kthehet në skenën politike pas humbjeve të njëpasnjëshme në zgjedhje të lira dhe demokratike. Çdo paraqitje tjetër kundër marrëveshjes së Ohrit do të ishte për momentin jo logjike, do të ishte jo serioze”.
Për analistët politikë shqiptarë ideja për marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve është e pranueshme, por është i kontestueshëm legjitimiteti i PDSH-së për të dalë me një propozim të këtillë.
Ismail Sinani: “Vlerësoj se ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve patjetër duhet të arrihet një marrëveshje e re politike, sepse një dokument i firmosur në vitin 2001 nuk mund t’i rregullojë të gjitha çështjet juridike dhe kushtetuese të shqiptarëve”.
Vedat Memedaliu: “Padyshim se me këtë marrëveshje avancohen të drejtat e shqiptarëve, mirëpo që kjo të realizohet nevojitet pak një seriozitet më i madh në rend të parë i partive politike shqiptare, edhe i atyre për maqedonasit që aktualisht edhe mungon te maqedonasit.”
PDSH para disa ditëve e bëri publik propozimin e saj për një marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, e cila përbëhet prej 12 pikave.
Me këtë marrëveshje mes të tjerash kërkohet edhe ndryshimi i simboleve aktuale të Maqedonisë me simbole të reja shtetërore, të cilat do të duhet të reflektojnë karakterin multietnik të këtij shteti. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu