Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, është shprehur optimist për zhvillimet e pritshme në ekonominë shqiptare nisur jo vetëm nga situate aktuale në vend, por edhe nga sinjalet pozitive që mbërrijnë nga ekonomia botërore. Fullani tha se analizat e fundit tregojnë se nuk do të ketë një valë tjetër goditëse në ekonomi.

Ardian Fullani: “Rikthimi i depozitave në sistem, rikthimi i pështjelljes më të mirë për sa i përket kreditimit, puqet do të thoja plotësisht me këtë tendencë botërore e cila nxjerr në pah që nuk do të ketë siç duket një raund të dytë të valës së personave të krizës. Kështu që do të thoja që të gjithë ne së bashku  duhet at shohim me optimizëm situatën.”

Ndërkohë Fullani theksoi se në horizontin afatmesëm, lypet që qeveria të tregojë kujdes me nivelin e deficitit buxhetor, duke e ulur atë.

Ardian Fullani: “ Politika fiskale ka vijuar të ruajë karakterin e saj ekspansionist gjatë vitit 2009, duke u reflektuar në rritjen e nivelit të deficitit buxheti. Kjo politikë ka ndikuar në mbështetjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe, por ajo është reflektuar edhe në rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e stimulit fiskal në këto nivele është e papërballueshme në një periudhë afatmesme. Për këtë arsye, ne do të vlerësonim mjaft marrjen e masave për respektimin e nivelit të parashikuar të deficitit buxhetor për vitin 2009.”

Banka e Shqipërisë vëren se muajt e fundit bankat tregtare kanë qenë më dorështrënguara në kredi dhënie ndikuar edhe nga shqetësimi për kontrollin e kredive të këqija.

Ardian Fullani: “Pavarësisht zhvillimeve pozitive të muajit mars dhe prill, në muajin qershor vihet re një ngadalësim i ndjeshëm i rritjes së tepricës së kredisë. Në muajin qershor norma vjetore e rritjes së portofolit te kredisë u ngadalësua në 14%, ndërkohë që në krahasim me muajin maj kredia u zvogëlua me rreth 1 miliardë lekë.”

Inflacioni vazhdon të qëndroje brenda kufijve të përcaktuar, tha Fullani, megjithatë nënçmimi i lekut mund të përbejë një rrezik për të ardhmen.

Ardian Fullani: “ Përkeqësimi i bilancit të pagesave, nënçmimi i kursit të këmbimit dhe vijueshmëria e politikave fiskale ekspansioniste do të përbënin rreziqe në kahun rritës të inflacionit.”

Deklaratat e guvernatorit erdhën pas përfundimit të mbledhjes së këshillit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë ku u vendos që norma aktuale e interesit për lekun, te mbetet e pandryshuar ne nivelin 5,75%./tvklan.al