Banka e Shqipërisë vlerëson se ekzistojnë premisa pozitive për rritjen e kredidhënies nga ana e bankave tregtare në vend.

Gjatë daljes periodike para mediave guvernatori Fullani konstaton rritje të kreditimit gjatë këtij fillim viti me 4% si edhe rikthimin e depozitave në sistem.

Fullani u ka kërkuar bankave të mbështesin më tej rritjen ekonomike të vendit nëpërmjet lehtësimit të kushteve kredituese.

Ardian Fullani: “Mendoj që futja e depozitave në sistem, një performancë më e mirë e bankave dhe rregullimet pozitive në vetë bilancet e bankave, japin premisë që problemet e ofertës të jenë më pozitive, por, nga ana tjetër, do të thoja që varet shumë dhe nga kërkesa. Aktiviteti kreditues vijon të mbizotërohet nga kredia në lekë, e cila mbulon kryesisht nevojat e bizneseve për kapital qarkullues”.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e kreditimit nuk do të ndikojë në nivelin e kredisë me probleme në sistem, që aktualisht ka arritur në nivelin 10.5%.

Ardian Fullani: “Rezultati i fundit është 10.5%. Ne mendojmë që gjashtëmujori i dytë do të krijojë kushte më të mira për dhe njëkohësisht viti i ardhshëm për uljen e këtij treguesi, si rezultat i provigjione më të pakta dhe njëkohësisht i rifillimit të një faze të re të kreditimit të ekonomisë së vendit.”

Ritmi i rritjes ekonomike është frenuar, tha guvernatori, pavarësisht sinjaleve pozitive që mbërrijnë nga sektori i jashtëm, teksa eksportet u rritën me 30% gjatë muajve të parë të vitit.

Ardian Fullani: “Sektori i jashtëm i ekonomisë ka shfaqur sinjale pozitive gjatë muajit Janar duke u karakterizuar nga një rritje prej 30% të eksporteve dhe ngushtim prej 13% të deficitit tregtar. Ky zhvillim i mirëpritur mbetet gjithsesi i pamjaftueshëm për të vendosur ekonominë shqiptare në rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro