Sistemi financiar shqiptar tashme mund te thuhet se i ka kapërcyer goditjet e marra vjeshtën e vitit te kaluar, kohe kur kriza botërore ndikoi tek ulja e kreditimit dhe tek depozitat.
Konfirmimi vjen nga guvernatori i Bankës se Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili gjate prezantimit te raportit te stabilitetit financiar deklaroi se analizat e fundit te treguesve makroekonomikë dhe financiarë tregojnë se sistemi është i qëndrueshëm.
Ardian Fullani: “Të dhënat e fundit flasin për një rikthim të besimit të publikut, i pasqyruar në rritjen e depozitave në sistemin bankar. Me rritje pasqyrohet gjithashtu edhe kreditimi i ekonomisë, ndërkohë që edhe struktura lekë-valutë në bilancet e bankave, ka njohur dhe ajo përmirësim të dukshëm. E rëndësishme është të theksojmë që goditja që pësoi sistemi bankar në vjeshtën e 2008-tës mund të konsiderohet tashmë e kaluar.”
Guvernatori Fullani tha se rritja ekonomike për vitin 2009, ndonëse pritet të jetë pozitive, do të jetë e ulët.
Kreu i Bankës Qendrore rreshtoi dhe disa nga rreziqet me te cilat po përballet ekonomia, rënie të të ardhurave për individët dhe luhatshmëri te kursit te këmbimit.
Ardian Fullani: “Prirjet për ngadalësimin e ekonomisë po vështirësojnë burimet financiare për sipërmarrjet e biznesit dhe për familjet. Për shkak të paqëndrueshmërisë të eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar. Nëse kjo prirje forcohet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e flukseve të valutës në tregjet e brendshme, duke ndikuar mbi kërkesën dhe ofertën për valutë dhe duke sjellë rritjen e luhatshmërisë të kursit të këmbimit ndaj monedhës kombëtare.”
Guvernatori tha se lëvizjet e vërejtura ne kursin e këmbimit kane qene reale, megjithëse një gjë e tille ka ndikuar edhe tek rritja e kredive me probleme.
Ardian Fullani: “Vështirësitë e sektorit real të ekonomisë, ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe vetë tkurrja e fortë e kreditimit për shkak të situatës së paqëndrueshme të likuiditetit në muajt e fundit, ka sjellë rritjen e vëllimit të kredive me probleme, pavarësisht nga lloji i valutës, mënyra ose sektori i përdorimit. Rritja e kredive me probleme, ka nxitur një proces të shtrëngimit të procedurave për kredidhënie”.
Guvernatori Fullani, duke theksuar se po mbahen nen kontroll treguesit makrofiskalë shtoi se Banka e Shqipërisë po përgatit një rregullore për bankat tregtare me qellim përmirësimin e likuiditetit dhe raportet midis burimeve të financimit dhe investimeve./tvklan.al