Edhe ky sezon veror e gjeti Vlorën plot me turistë, s’kishte si të ndodhte ndryshe.
Deti dhe magjia e plazheve, ushqimet e shijshme tradicionale, hotelet, argëtimi i natës në qytet dhe buzë bregut, madje dhe turizmi malor janë një buqetë që nuk mund të refuzohet nga pushuesit gjatë këtyre ditëve të nxehta dhe Vlora e ofron këtë paketë turistike.
Duke nisur nga plazhet si asnjë qytet tjetër në Shqipëri Vlora laget nga dy dete, Adriatiku dhe Joni, çka e bën atë të veçantë dhe tërheqëse për një kategori të gjerë pushuesish.
Plazhi i Ujit të Ftohtë që është më i madhi dhe më i populluari në këtë qytet është edhe skaji jugor i bregdetit Adriatik.
Këtu plazhi është ranor me ujëra të cekëta, i përshtatshëm sidomos për familjarë dhe fëmijë.
Ky plazh është publik dhe mirëmbahet nga bashkia e qytetit. Aty pranë ndodhet moli i vetëm për plazhistët ku mund të ushtrojnë hedhjet në ujë.
Pas tunelit të Ujit të Ftohtë shfaqen plazhet me guralecë dhe ujëra të kristalta. I tillë është dhe ai te kalaja, një vend ideal për shëtitje me varka.
Pak më tutje gjendet plazhi i Onufrës, shkëmbinj që derdhen në detin e kaltër duke i dhënë jetë një plazhi që ndërthuret mes zhavorrit të imët dhe guralecëve.
Të tillë janë edhe plazhet e Radhimës deri në Orikum, ku ndërthuren plazhe të vogla me ata shkëmborë.
Në të gjithë vijën bregdetare Radhimë-Orikum gjenden plazhe të mirëmbajtura nga hotelet buzë detit dhe që janë të përshtatshëm për të gjithë llojet e pushuesve.
Në lokalet e plazhit mund të marrësh varka me qera apo edhe motorë uji. Ushqimi më i preferuar është padyshim ai me bazë prodhimet e detit. Të tilla gatime ofrohen nga pjesa më e madhe e restoranteve gjatë gjithë vijës bregdetare.
Peshku i freskët, oktapodi, midhjet dhe të tjera prodhime deti janë në çdo menu. Ndër llojet më të preferuara të peshkut është koca e detit. Restorantet ofrojnë të njëjtat çmime si gjatë sezonit të ulët në dimër, ashtu dhe gjatë verës ndonëse kërkesa rritet ndjeshëm.
Për një ushqim të shpejtë pushuesve iu vjen në ndihmë me dhjetëra fast food-e pranë plazheve.
Çmimet për akomodim në Vlorë janë të ndryshueshme. Gjatë verës hotelet buzë detit ofrojnë çmime 30 deri 60 euro për natë, ndërsa hotelet në qytet janë disi më të lira.
Një formë alternative është edhe marrja e apartamenteve apo vilave me qera. Sipas kushteve qe ofrojnë banesat variojnë nga 25 mijë deri në 50 mijë lekë për 15 ditë, të pajisura me kushte të përshtatshme.
Pas plazhit një shëtitje në qytet, darkës në mbrëmje, radhën e kanë diskot verore me muzikë që ndalet vetëm në orët e para të agimit.
Diskot ndodhen në zona të ndryshme, nga Uji i Ftohtë në Orikum, fare pranë detit apo në pjesën e kodrave mbi bregdet.
Duke qenë thjesht sezonale ato zhvendosen në bregdet vetëm gjatë verës. Në fundjavë bileta e hyrjes në këto disko kuptohet këngëtarë dhe grupe të njohura kushton deri në 5 qind lekë, ndërkohë që çmimet e pijeve variojnë nga 3 qind në 6 qind lekë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro