Qeveria e izraelite miratoi planin amerikan të armëpushimit me Libanin për t’i dhënë fund luftimeve me Hezbollahun në Liban, i cili hyn në fuqi që nga e mërkura. Në një fjalim televiziv para mbledhjes së qeverisë, kryeministri izraelit Beniamin Netanjahu tha se fati i paktit varet nga mënyra se si do të sillet Hezbollahu.

“Nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen dhe përpiqet të armatoset, ne do të godasim. Nëse ai përpiqet të rindërtojë infrastrukturën terroriste pranë kufirit, ne do të godasim”.

Arritjen e paktit e vlerësoi edhe presidenti amerikan Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë.

“Marrëveshja është arritur për të pasur një ndërprerje e përhershme të armiqësive. Izraeli ka të drejtën e vetëmbrojtjes nëse shkelet pakti. Një armëpushim urgjent është i nevojshëm edhe në Gaza”.

Pakti parashikon një ndërprerje 60-ditore të armiqësive me Hezbollahun dhe detyron trupat izraelite të tërhiqen nga Libani Jugor ku do të dislokohet ushtria libaneze. Ndërsa Hezbollahu do t’i japë fund pranisë së tij të armatosur përgjatë kufirit në jug të lumit Litani.

Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në fillim të luftës në Gaza.

Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.

Tv Klan