Mikel Shallari vrasësi i dyshuar i komisar Arnat Cukut ka dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku është njohur me masën e sigurisë arrest me burg. 24 – vjeçari përveç gjeneraliteteve të tij nuk ka thënë asgjë tjetër, duke vendosur të flasë në një tjetër moment.
I riu nga Kuçova është shfaqur i qetë, duke mos pasur asnjë reagim gjatë kohës që prokurori lexonte kërkesën për caktim mase.
Sipas Henrik Ligorit, Shallari është autori i vrasjes e vërtetuar nga prova shkencore.
Mikel Shallari u zbulua nga rrobat të cilat i hodhi disa metra larg vendit të krimi. Në rroba ai la elemente të ADN-së të cilat u krahasuan me të personave që kanë qenë të dënuar në Zvicër. Autoritet e këtij vendi konfirmuan se ajo ADN i përket 24 – vjeçarit, pasi ai kishte kryer një dënim për trafik droge atje.
Motiv i kësaj ngjarje sipas prokurorit është për shkak të gjakmarrjes, por në hetim janë dhe disa pista që kanë të bëjnë me kohën kur Artan Cuku ka qenë drejtor i policisë së Vlorës. Gjithashtu është dhe pista për shkak të konkurrencës në biznes.
Prej disa vitesh Cuku administronte një shoqëri private të ruajtjes fizike dhe kishte fituar disa tenderë të rëndësishëm.
Pista kryesore që ka grupi hetimor mbi të cilët po kryhen veprime konkrete është ajo për shkak të detyrës që lidhet më goditjen e disa grupeve kriminale në Vlorë dhe arrestimin e disa personave mjaft të rrezikshëm atje.
Tv Klan