Suel Çela, i njohur nga autoritetet si Marius Lulaj, kërkon nga arratia revokimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” caktuar për dosjen “Plumbi i Artë” në Maj të 2022.
I konsideruar nga SPAK si kreu i një organizate që kishte bazën në Elbasan dhe vepronte në linjat e trafikut ndërkombëtar të kokainës, nëpërmjet avokatit të tij, kërkon heqjen e masës me argumentet se nuk ka më kushte dhe kritere për vijimin e saj.
Kërkesa do të shqyrtohej këtë të premte, por seanca nuk u realizua dhe u shty për një ditë tjetër.
Ai akuzohet në bazë të dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, se ka porositur për një person të tretë vrasjen e Lulzim Mashës, ky i fundit i shpëtoi atentati.
Ndaj Suel Çelës, rëndon edhe një masë tjetër sigurie, e caktuar në nëntor të këtij viti nga Gjykata e Posaçme, ku akuzohet për trafik ndërkombëtar të kokainës, tentativën për vrasje të Ardian Çapjas, përgatitjen e atentateve për dy të tjerë si dhe që ka korruptuar zyrtar policia dhe të gjyqësorit.
Edhe masa e dytë ndaj tij nuk u arrit të ekzekutohej nga policia e cila kreu vetëm kontrolle në ato që u konsideruan baza të qëndrimit të tij.
Tv Klan